Gashi pyetet për rastin e dy policëve dhe gjashtë shtetasve turq

Lufta kundër terrorizmit, krimit dhe korrupsionit është një nga shqetësimet dhe fenomenet që përballemi dhe do të përballemi në vijim. Kështu ka deklaruar para anëtarëve të Komisionit Parlamentarë për Punë të Brendshme, ministri Bejtush Gashi.

“Qeveria ka miratuar strategjinë shtetërore 2018 kundër terrorizmit. Sa i përket liberalizmit të vizave gjatë kësaj jave zyrtaret e MPB-së po takohen me ekipet e BE-së. Ekipi vlerësues pritet të dal me rekomandime pozitive”, ka thënë ministri Gashi.

Ai para deputetëve ka folur edhe rreth ligjit për Policinë e Kosovës, ku sipas tij ky ligj ka kosto të lartë financiare.

“Mosha e zyrtarëve policor është jashtëzakonisht e lartë. Ligji për policinë ka edhe kosto financiare. Nëse kemi mundësi ta kalojmë ky do të jetë viti i procedimit të ligjit”, ka deklaruar Gashi.

Në anën tjetër deputeti Xhelal Sveçla tha se do ishte mire që të bisedohej edhe për kushtet e punës të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës Naim Rexha tregoi për hapat që kanë ndërmarrur në aksidentin në lumin Lepenc ku humbën jetën dy policë.

“Policia e Kosovës në fillim të intervenimit është marr me administrimin e rastit të aksidentit të trafikut. Pastaj kemi intervenuar në kërkim të trupave. Veprimet e ndërmarra kanë qenë në koordinim shumë të ngushtë me prokurorin e Ferizajit. Del se nuk ka pas ndërhyrje nga asnjë faktor i jashtëm në automjet në momentin e aksidentimit të tij. Edhe automjeti del se ka qenë teknishisht në rregull”, ka thënë Rexha.

Deputeti Muharrem Nitaj lidhur me rastin e vdekjes së dy policëve pyeti ministrin Gashi se pse nuk kanë filluar kërkimet herët në mëngjes.

“Ju po na flisni lër strategji por nuk po na flisni për probleme reale që janë në policinë e Kosovës. Janë shpërnda fjalë që në polici ka njerëz të ndikuar nga grupe të interesit. Po ju ngushëlloj me rastin tragjik të dy policëve. Ditën tragjike kur janë zhduk dy policët hetimet kanë përfunduar në orën 3 të natës dhe kanë filluar në ora 11. Kush ka dhanë urdhër ministër që mos të fillojnë hetimet në orën 5 të mëngjesit por të fillojnë në orën 11:00”, tha Nitaj.

Ministri Gashi në përgjigjen e tij tha se reagimi ka qenë në nivelin e duhur.

“Hetimet nuk kanë përfunduar kështu është thënë në media. Profesionalisht reagimi ka qenë në nivel. Ne do ta bëjmë një analizë pas përfundimit të hetimeve në teren dhe do t`ua dërgojmë edhe juve. Unë në ora 9:15 kam qenë në teren. Informacionet që janë dhënë kanë qenë informacione që nuk kanë mujt me përshkruar gjendjen reale në terren”, deklaroi Gashi.

Në anën tjetër, Ministri Gashi është pyetur nga deputeti Xhela Sfeçla edhe për rastin e gjashtë shtetasve turq për të dhënë sqarime se ka qenë ekstradim, apo deportim.

“Jam i dëshpëruar me përgjigjen se nuk ka pas shkelje ligjore në rastin e 6 shtetasve turq. Kush janë përgjegjësit mbetet mu përcaktuar. Ka ndodh një lloj ekstradimi që nëse është bërë pa vendim të gjykatës është shkelje ligjore”, tha deputeti Sfeçla.

I pari i MPB-së, tregoi se janë në proces dhe se është krijuar një komision që do merret me këtë rast.

“Jemi në proces është krijuar komision. Ti dhe komente dhe kualifikime. Ata kanë vepru në bazë të ligjit që e rregullon këtë çështje. Pjesa e përgjegjësisë së ministrisë ka vepru në raport me përgjegjësitë që ka pas. Gjetjet që do të vijnë në komision do të përballen me raportin që ne i kemi në agjencinë dhe do të dalim me konkludim të përbashkët. Është lënduar imazhi i Kosovës për shkak të veprimit të shpejtë kjo ka qenë deklarata e parë e kryeministrit”, tha Gashi.