Foto: Presidenca e Kosovës

Gabriel Escobar nesër në Kosovë, pritet nga presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta presë në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, nesër më 13.03.2024.

Sipas njoftimit të Presidencës, mediat fillimisht do të marrin pamje nga takimi e pas tij do te ketë deklaratë për media.

Temë e takimeve të Escobar në Kosovë, siç është paralajmëruar, do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb për pagesa dhe transaksione të tjera në Kosovë, si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Vendimin e BQK-së për këtë Rregullore Escobar e ka quajtur “katastrofal”.

Escobar është paralajmëruar se do të takohet me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në një konferencë online me gazetarë, Escobar ka theksuar edhe se kanë probleme me komunikimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Problem ky që, sipas Escobarit, e kanë edhe partnerë të tjerë si Bashkimi Europian, NATO, Britania e Madhe, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa dhe marrin pensione e ndihma të tjera (nga Serbia) në dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere” – ka thënë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-në nuk është vënë në rrezik.

“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja” – ka thënë Kurti.