Fshihte të ardhurat nga veprimtaria e këmbimit valutor, arrestohet një person në Durrës

Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar një person në Durrës nën dyshimin se ka fshehur të ardhurat e përfituara nga veprimtaria e këmbimit valutor.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për 60-vjeçarin H.A, i cili dyshohet të ketë kryer veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe  “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, Policia e Shtetit tregon se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma të konsiderueshme parash, të prerjeve të ndryshme.

Këto materiale sipas njoftimit, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit bën të ditur se ky operacion, i cili mban kodin “Valuta” u finalizuar pas hetimeve disajavore.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e informalitetit, bazuar në informacionet e marra dhe punën   profesionale hetimore disajavore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Valuta’”, njofton Policia.