Takimi i kryeministrit Albin Kurit me kryetarët e komunave. 21.02.2024. Foto: KALLXO.com

Jo të gjithë kryetarët e komunave u takuan me Kurtin

Për të gjashtën herë me radhë përgjatë tri vjet qeverisjeje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua me kryetarët e komunave për të diskutuar rreth bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punëve mes nivelit qendror dhe atij lokal.

Por, jo të gjithë kryetarët e komunave janë parë në takimin e mbajtur më 21.00.2024, megjithëse temat që u folën aty ishin kryekëput komunale, nisur nga regjistrimi i popullsisë, trajtimi i qenve endacakë, grantet e performancës dhe buxhetet e komunave.

Nga komunat veriore të Kosovës në takim i pranishëm ishte vetëm Eden Atiq, kryetar i Mitrovicës Veriore, por jo edhe kryetarët tjerë shqiptarë të komunave: Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.

Në takim nuk është parë as kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili njëherësh është edhe kryesues i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se përgjigjen pse nuk kanë ardhur disa prej kryetarëve komunal në takim nuk mund ta jap ai, por për këtë duhen pyetur vetë kryetarët e munguar.

“I kemi pasur 28 konfirmime që vijnë sot, por vetëm 15 prej tyre patën përfaqësues, ndërkaq të tjerët nuk morën pjesë pa asnjë paralajmërim”- tha Krasniqi për media pas takimit.

Në këtë takim u fol për regjistrimin e popullsisë e qentë endacakë, gjë që prek të gjitha komunat e Kosovës.

Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin. Se a do të përsëritet e njëjta gjë edhe këtë vit, ende nuk dihet.

Në takimin e kaluar, të mbajtur më 02.10.2023, disa nga kryetarët e komunave i kanë kërkuan kryeministrit ndryshimin e qasjes së komunikimit.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Aliu, nga radhët e PDK-së kishte thënë se për disa zgjidhje që kryetarët i kanë propozuar më herët, janë duke pritur ende përgjigje.

“Ne kryetarët kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja e komunikimit. I tillë ishte edhe ligji për vetëqeverisje për të cilën kryetarët e komunave u përjashtuan nga konsultim”- kishte thënë Aliu.

Kurti në takimin e sotëm mohoi edhe akuzat dhe kritikat për trajtim të pabarabartë të komunave me rastin e ndarjes së buxhetit.