Fëmijët e gjetur pas 40 ditësh në xhunglën e Amazonës mbijetuan duke ngrënë 'miell kasava'

Ngrënia e miellit të kasavës ndihmoi në shpëtimin e jetës së katër fëmijëve të gjetur të gjallë në xhunglën e Amazonës më shumë se një muaj pasi avioni i tyre u rrëzua, sipas një zyrtari të forcave speciale ushtarake kolumbiane.

Fëmijët kanë ngrënë “tre kilogramë farina”, një miell kasava i trashë që përdoret zakonisht nga fiset indigjene në rajonin e Amazonës, ka deklaruar zëdhënësi Pedro Arnulfo Sánchez Suarez.

“Për disa ditë pas përplasjes, ata hëngrën farinën që kishin mbajtur atje… por atyre (përfundimisht) u mbaroi ushqimi dhe vendosën të kërkonin një vend ku mund të mbijetonin”, tha Suarez.

“Ata ishin të kequshqyer, por plotësisht të vetëdijshëm dhe mendjekthjellët kur i gjetëm”, shtoi ai.

“Origjina e tyre indigjene u dha atyre mundësinë të fitonin një imunitet të caktuar kundër sëmundjeve në xhungël dhe të kishin njohuri për vetë xhunglën – duke ditur se çfarë të hanë dhe çfarë të mos hanë – si dhe gjetja e ujit i mbajti ata gjallë – gjë që nuk do të ishte e mundur ( nëse ata) nuk do të ishin mësuar me atë lloj mjedisi armiqësor”.

Katër fëmijët – Lesly Jacobombaire Mucutuy 13 vjeç, Soleiny Jacobombaire Mucutuy 9 vjeç, Tien Ranoque Mucutuy 4 vjeç dhe foshnja Cristin Ranoque Mucutuy – po shërohen aktualisht në një spital në kryeqytetin kolumbian Bogota pasi u dërguan atje me ambulancë ajrore nga Forcat Ajrore Kolumbiane të shtunën, thanë zyrtarët.

Raportet mjekësore thonë se ata janë të dehidratuar dhe ende “nuk mund të hanë ushqim” – por janë mirë dhe jashtë rrezikut.

“Ajo që kërkohet tani është të stabilizohet (shëndeti i tyre)”, u tha ministri kolumbian i Mbrojtjes Ivan Velasquez gazetarëve që ishin mbledhur jashtë spitalit.

Nëna e fëmijëve Magdalena Mucutuy Valencia vdiç pas rrëzimit të avionit më 1 maj, duke i lënë ata vetëm dhe të bllokuar në xhunglën e Amazonës. Piloti i avionit Hernando Murcia Morales dhe udhëheqësi indigjen i Yarupari, Herman Mendoza Hernández vdiçën gjithashtu në këtë aksident.

Zhdukja e fëmijëve shkaktoi një operacion masiv kërkimi të udhëhequr nga ushtria me më shumë se njëqind trupa të forcave speciale kolumbiane dhe mbi 70 skautë indigjenë duke kërkuar nëpër pyllin e thellë.

Të katër fëmijët u gjetën përfundimisht në një zonë të pastër nga pemët.

Ata u thanë zyrtarëve se kishin gjetur një qen – një qen kërkues belg Shepherd me emrin ëilson që i përkiste forcave speciale. Qeni ishte zhdukur më 18 maj, tha Suarez. “Fëmijët na thanë se ata kaluan tre ose katër ditë me ëilsonin dhe se e gjetën atë mjaft të dobët”, shtoi ai.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro, i cili vizitoi fëmijët në spital të shtunën, festoi kthimin e tyre dhe tha se mbijetesa e tyre “do të mbahet mend në histori”.

“Ata janë fëmijë të xhunglës dhe tani janë fëmijë të Kolumbisë”, deklaroi Petro./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala