Escobar mohon se SHBA është treguar e ashpër me Kosovën dhe e butë me Serbinë

Gjatë diskutimit në Këshillin Atlantik, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është pyet për akuzat se SHBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën.

Escobar tha se në 90 ditët e fundit por edhe për 15 vjet, çdo gjë që ka bërë Uashingtoni ka qenë në favor të Kosovës, duke filluar nga pranimi i pavarësisë, fushata për njohjet e Kosovës, pranimi i zgjedhjeve të fundit në veri etj.

“Sfidoj të gjithë të më tregojnë se kur kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë ndaj Serbisë. Çfarë po kërkojmë nga Kosova është koordinimi i ngushtë dhe të pranojë obligimet ndërkombëtare. Nuk mendoj se kjo mund të përkthehet se ne jemi të ashpër me Kosovën. Mendoj se është e kundërta”- tha ai.

“Ne jemi në këtë proces për të ndihmuar ata në normalizim”- shtoi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thanë se është kërkesë e BE-së dhe SHBA-së që tre policët kosovarë, të kidnapuar nga Serbia, të lirohen menjëherë.

Ata nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse ka një ultimatum se deri kur duhet të lirohen policët, por kanë thënë se kërkojnë që kjo të ndodhë menjëherë.

Sa i përket situatës në veri, Escobari ka thënë se sheh “potencial për konflikt rajonal”.

Nga 26 maji serbët veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

Më 30 maj 2023, protestuesit serbë u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës njoftoi se ka arrstuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.