Escobar: Çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi më 12.03.2024 se çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ecobar u pyet se përse ende nuk është dërguar drafti i Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“E kemi të vështirë ta kuptojmë pse s’e kanë dërguar ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ne inkurajojmë Kosovën të ecë para, dhe dua të ritheksoj se Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Srpska, nuk ka shtet brenda shteti, nuk ka asgjë në statut që lejon një autoritet ekzekutiv, ose fuqi ekzekutive apo diçka që mund të krijojë çështje kushtetuese apo funksionale për Kosovën” – ka thënë Escobar në një konferencë online me gazetarë.

Zyrtari amerikan tha se formimi i Asociacionit është ligjërisht i obligueshëm dhe nuk ka arsye përse të mos ecet përpara me të.

“Është thjeshtë mundësia për komunat, komunat me shumicë serbe, që të koordinohen, në gjuhën serbe, për qytetarë të Kosovës, kjo është. Është ligjërisht i obligueshëm. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në [Kushtetuese], apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë. Në fakt, besojmë që e gjithë çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit”- theksoi Escobar.

“Asociacioni si i rekomanduar nga BE-ja, përfshin dispozitat për transferimin transparent të parave nga Serbia tek ata që kanë të drejtë në Kosovë përmes një mekanizmi transparent, sipas ligjit të Kosovës dhe në kuadër të kornizës kushtetuese të Kosovës. Duam që Kosova të ecë përpara me të sa më shpejt të jetë e mundur”- shtoi ai.

Escobar do të vizitojë Kosovën brenda kësaj jave për të folur për dinarin serb dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Escobar thuhet se pritet të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Për dinarin e dialogun, Escobar viziton Kosovën këtë javë

www.kallxo.com