Ilustrim

Erdogani: Hamasi nuk është një organizatë terroriste

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në komentet e tij më të forta për konfliktin e Gazës deri më tani, tha të mërkurën se Hamasi nuk ishte një organizatë terroriste, por një grup çlirimtar që lufton për të mbrojtur tokat dhe popullin palestinez.

Duke folur me ligjvënësit nga partia e tij në pushtet, Erdogan bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim të menjëhershëm mes forcave izraelite dhe palestineze dhe tha se vendet myslimane duhet të veprojnë së bashku për të siguruar një paqe të qëndrueshme në rajon.

“Hamasi nuk është një organizatë terroriste, është një grup çlirimtar, ‘muxhahedin’ që bën një betejë për të mbrojtur tokat dhe njerëzit e tij,” tha ai, duke përdorur një fjalë arabe që iu referohet atyre që luftojnë për fenë e tyre.

Erdogan kritikoi gjithashtu fuqitë perëndimore që kanë shprehur mbështetje për hakmarrjen e Izraelit ndaj Hamasit, duke thënë se “Lotët e Perëndimit të derdhur për Izraelin janë një shfaqje mashtrimi”.

Shumë nga aleatët e Turqisë në NATO e konsiderojnë Hamasin një grup terrorist dhe komentet e Erdoganit tërhoqën një vëmendje të shpejtë nga zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, i cili tha se ato ishin “të rënda dhe të neveritshme dhe nuk ndihmuan në shtensionim”.

“Unë do t’i propozoj kolegut tim (ministrit të Jashtëm Antonio) Tajanit që të dërgojë një notë proteste zyrtare dhe të thërrasë ambasadorin turk” – tha Salvini.

Turqia ka dënuar vdekjet e civilëve si pasojë të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, por gjithashtu kërkoi nga Izraeli të reagonte në mënyrë të përmbajtur.

Që atëherë, ajo ka dënuar ashpër bombardimet e Izraelit ndaj Gazës, e cila kontrollohet nga grupi militant islamik, ndërsa ofroi të ndërmjetësonte në konflikt dhe dërgoi disa dërgesa me ndihma humanitare.

Erdogan akuzoi Izraelin se kishte përfituar nga qëllimet e mira të Turqisë. Turqia ishte munduar më parë për të përmirësuar lidhjet e tensionuara prej kohësh me Izraelin dhe Erdogani tha se tashmë kishte anuluar një udhëtim të planifikuar në Izrael për shkak të ngjarjeve në Gaza./Reuters