Zjarri në fabrikën në Drenas, Foto: KALLXO.com

Mungesa e ujit për shuarjen e zjarrit te fabrika në Drenas, KRU "Prishtina": Jemi duke punuar që të ketë ujë

Gjatë intervenimit për shuarjen e zjarrit që përfshiu një fabrikë të plastikës në Korreticë të Epërme të Drenasit, zjarrfikësit po përballen me mungesë të ujit në zonë.

Ata janë detyruar që të furnizohen me ujë disa kilometra larg zonës ku shpërtheu zjarri.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” është deklaruar në lidhje me problemet me furnizim me ujë tek parku i biznesit, ku ka shpërthyer zjarri.

Ajo tregon se ka pas mungesë të ujit tek stacioni i pompave në Vragoli.Mjeku thotë se do punohet që të krijohen rezerva për më vonë.

“Pasi kemi një orar, si shkak i mungesës së ujit në stacionin e pompave në Vragoli, sot është startuar nga ora 11:00 dhe ende jemi duke punuar deri sa të ketë ujë besoj deri në ora 18:00, pastaj krijojmë prap rezerva për më vonë. Pretendime mundet çdo kush me pasë, neve si KRUP na vjen keq për zjarrin  dhe dëmet e shkaktuara!”, deklaroi Mjeku.

I pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se zjarrfikësit po furnizohen me ujë nga vende të tjera.

“Autocisternat po duhet me shku me u mbushë me ujë në Drenas, ndërsa autocisterna e KFOR-it po shkon në Aeroportin e Prishtinës. Ujë nuk ka, është ndalë që disa herë, nuk i dijmë arsyet. Sipas informacioneve të mia, ujin në Park të Bizneseve e marrim nga Dobreva. Ne do i ndjekim procedurat që me marrë vesh pse s’ka pas ujë” – deklaroi Lladrovci.

Problemet e furnizimit me ujë i ka konfirmuar edhe komandanti i zjarrfikësve të Drenasit, Afrim Xhelili.

Ai tregoi se po detyrohen që për ujë të shkojnë në Drenas e Komoran.

“Kemi pas pengesa me furnizim të ujit, është deshtë me shku në Drenas dhe Komoran për me marrë ujë, dikush duhet me dhënë përgjegjësi. Në vend që me marrë ujin 200 metra këtu, duhet me shku 2 kilometra ose 5 kilometra” – deklaroi Xhelili para mediave.

Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante për ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të ndriçimit të rrethanave të zjarrit në fabrikën e plastikës në Drenas.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, duke shtuar se do të analizojnë dhe vlerësojnë në rast se paraqiten elemente të veprës penale.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e njësitë relevante për ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij zjarri, si dhe do të analizojë e vlerësojë në rast se paraqiten elemente të veprës penale”- ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

KALLXO.com po raporton direkt nga vendi i ngjarjes për zjarrin në fabrikë.

Intervenimi për shuarjen e zjarrit në fabrikën në Drenas, ankesa për mungesë të ujit