Vështirësitë e nxënësve të 3 fshatrave të Mitrovicës së Jugut për të shkuar në shkollë

Banorët e fshatrave Tërstenë, Rashan dhe Mazhiq të Mitrovicës së Jugut po ankohen se prej dy vitesh nuk kanë transport publik. Problemet më të mëdha i hasin nxënësit të cilët vijojnë mësimet në shkollat e mesme në Mitrovicën e Jugut.

Arbnor Sadiku, nxënës në shkollën e mesme “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë thotë se së bashku me mungesën e transportit variojnë dhe mungesat e tij në shkollë.

“Është shumë vështirë, se s’po kem qysh me udhëtu. Po duhet babi qeshtu, edhe po më çon në shkollë edhe po më kthen, shumë vështirë. Kaniher s’po muj shkoj edhe në shkollë se babi në punë, po duhet me ndalë edhe shkollën kaniher”- u shpreh Sadiku.

Ndërsa Avni Smakolli prind i një vajze thotë se në momentin kur punëtorët e fshatit të cilët kanë punët e tyre në qytet nuk shkojnë në punë, vajza e tij mbetet pa vijuar mësimin në shkollë.

“Vajza çdo ditë duhet në ora 06:00 me u nisë prej shpije. Herë ka, herë s’ka. Kush mundet me i marrë prej punëtorëve që shkojnë poshtë me ndonjë kerr, e marrin. Dy djem të vëllait edhe ata qashtu. Një transport për nxansa. Jo, jo le të ndalen edhe këta, ma nuk mund të qëndrojnë. Rruga si të mshelet në atë mëngjes, nuk vjen kush me çelë, nuk shkojnë punëtorët edhe ajo mbetet pa shku në shkollë”- ka thënë Smakolli.

Prindërit e tyre detyrohen që me mjete vetanake t’i dërgojnë çdo ditë në shkollë, teksa disa prej tyre bëjnë disa kilometra në këmbë për të shkuar te një fshat tjetër, prej të cilit mund të sigurojnë një autobus.

“Kush ka kerre, i çon deri në Mitrovicë ose në Vushtrri, kush nuk ka kerre duhet me shku prej Rashanit, diku 9 kilometra është, shkojnë në këmbë deri në Smrekonicë. Në Smrekonicë ose një taksi, ose një autobus, me diçka gjenden aty dhe shkojnë”- ka thënë kryetari i fshatit Rashan, Fadil Ademi.

Ndërsa Fisnik Aliu, nga kompania Kroni i cili kishte kryer transportin më parë thotë se për shkak të numrit të vogël të banorëve dhe nxënësve është detyruar ta ndërprejë. Sipas tij kanë qenë 17 nxënës në shkolla të mesme dhe 14 mësues.

“Unë mundem me thanë që e kemi kry transportin në zëvendësim të një djali tjetër, ai ka punu ma herët. Neve na ka dhanë me punu dhe kemi punu rreth 13 muaj. Por duke e parë se atje nuk po funksionon, s’ka udhëtarë, e kemi ndërprerë. Ndërsa komuna na ka premtuar për do naftë, nuk na ka qitë dhe na ka thanë që sa për neve, veç këqyreni llogarinë e juaj edhe ndërprerjeni”- ka thënë Aliu.

E shqetësimin e njëjtë për banorët e ka shprehur edhe asamblisti, Kushtrim Zeneli, i cili ndër të tjera thotë se mbyllja e shkollave në fshatra është problem që vihet në dukje çdo ditë e më shumë.

“Kam pasë mjaft kërkesa, mjaft kritika prej banorëve që nuk po ka transport publik. Janë tri fshatra të cilat ballafaqohen me këtë problem, tash e dy vite. Janë mbi 50 nxënës që vijojnë në shkollat e mesme, janë studentë të cilët janë në fakultete të regjistruar. Dhe të vetmen mundësi transporti e kanë ta përdorin fshatin Trepçali, i cili është 5 kilometra deri në 6 kilometra larg, kështu ky është një problem që po ballafaqohet gjithë fshati, gjithë ato fshatra. Problemi me transport po ndikon edhe në shpërnguljen e banorëve edhe pastaj shpërngulja e banorëve po ndikon edhe në mbylljen e shkollave”- ka thënë Zeneli.

Drita Kadriu, Drejtorëshë e Arsimit në Komunën e Mitrovicës Jugore ka thënë se kompetencë e saj është vetëm sigurimi i trasportit për nxënësit e shkollave fillore.

“Për nxënës të shkollës fillore e bëjmë transportin. Tash a operojnë operatorët privatë nëpër fshatra, unë nuk e di. Ata me pasë interes ekonomik udhëtojnë, mbështetet në një logjikë ekonomike. Me pasë interesa ekonomike, këto vetë i realizojnë punët e veta. Por për nxënësit e shkollës fillore që është kompetencë e imja, ne e bëjmë bartjen të sigurojë transport, përjashtim bëjnë vetëm nxënësit e shkollave fillore”- përfundoi Kadriu.