Enver Hoxhaj voton: Qytetarët janë para dy opsioneve

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka votuar sot në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik.

Hoxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve për të votuar duke thënë se sot është dita kur flasin qytetarët e jo politikanët.

“Qytetarët janë para dy opsioneve para opsionit për rimëkëmbje ekonomike dhe stabilitetit politik apo para opsionit të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar”, tha Hoxhaj.

Ai pret që qytetarët ta marrin vendimin.

Sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Vendvotimet janë hapur në ora 7:00.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë  si rezultat i vendimit të  Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Qeveria Hoti është Qeveria e parë në Kosovë që bie për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja më 21 dhjetor 2021 kishte vendosur për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Sipas vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Arifi, e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti, është shpallur e pavlefshme pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.

Qeveria Hoti u votua më 3 qershor 2020 me 61 vota pas arritjes së koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Votimi për formimin e saj u kontestua nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria Hoti erdhi pas prishjes së koalicionit që kishte me Lëvizjen Vetëvendosje.

Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua nga mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës me 82 vota për, 34 kundër, dhe 1 abstenim.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet më 25 maj 2020.

Qeveria Kurti u miratua më 3 shkurt 2020 në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.

Zgjedhjet e sotme parlamentare janë të tetat që mbahen në Kosovën e pasluftës.