Ilustrim

Edukimi parafillor bëhet obligativ, mirëpritet nga shkollat

Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili bën obligativ edukimin parafillor. Këtë veprim e kanë mirëpritur shkollat.

Tani e tutje, secili prind është i obliguar që fëmijën e tij ta dërgojë në edukimin parafillor.

Kjo pasi deputetët miratuan këtë javë në Kuvend Ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili e kërkon një gjë të tillë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, me këtë ligj rregullohet ofrimi i edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit të edukimit për më të vegjlit, prej lindjes deri në moshën 6-vjeçare.

Sipas drejtorit të shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë ky ligj do t’i ndihmojë shkollat.

“Ne kemi pasur raste kur në periudhën e regjistrimit të fëmijëve tek parafillorët ka qenë një numër shumë simbolik ndërsa kur ka qenë periudha e klasëve të para është trefishu numri, dmth nuk e kemi pas një informatë të saktë prej klasëve se sa nxënës mund të kemi në klasën e parë”, ka thënë Visar Osmani, drejtor i shkollës “Emin Duraku”.

Në përgatitjen e këtij ligji ka kontribuar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, i cili është kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim.

Ai thotë se një ligj i tillë ka qenë i domosdoshëm.

“Koordinimi ndërsektorial të cilin e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm me ç’rast të gjithë dikasteret e rëndësishëm institucional që i kanë përgjegjësitë komform fushës të ofrojnë shërbimet për fëmijët. Kështu ta zëm dikasteri i mirëqenies sociale, ai i shëndetësisë, ai i arsimit. Të gjitha duhet të bashkëpunojnë për të ofruar shërbimet të integruara për fëmijët për këtë moshë shumë specifike”, ka thënë Ardian Gola.

Deri më tani, dërgimi apo jo i fëmijëve në edukimin parafillor ka qenë në vullnetin e prindërve.

Ministria e Arsimit po ashtu ka njoftuar përmes këtij ligji ofrohet koordinim ndërsektorial, edukim në familje, ushqyeshmëri, krijim të mënyve ushqimore, sigurim e rregullim të materialit didaktik, monitorim të punës edukative dhe të tjera./RTV Dukagjini