E vërteta rreth “thyerjes së xhamit” të veturës së aktivistit nga Drenasi

Të enjten, më 19.09.2024, disa medie (TEVE1 dhe ATV) publikuan pamje të një veture me xham të thyer duke pretenduar se xhami i përparmë i veturës së aktivistit politik nga Drenasi, Perparim Haradini është thyer pas përplasjeve në Kuvendin Komunal të kësaj komune.

Videon me xhamin e thyer e publikoi vetë Haradini në Facebook më 19.09.2024 në ora 08:43, para se të fillonte një seancë në Kuvendin Komunal ku pritej të votoheshin disa vendime.

“Komentet e mija, disave po i pengojnë. Por le ta dijnë mirë, që nuk tërhiqem mbrapa. Jam çdo herë me zërin ndryshe, jam çdo herë me ata që do e bejnë Drenasin të jetushëm e të punueshme. Servilat mendimin e pavarur e xhelozojnë, sepse tani i kanë duart e lidhur nga shefat e tyre” – shkruante Perparim Haradini.

Në një deklarim për KALLXO.com, vetë Haradini e ka pranuar se xhami i veturës, të cilën e kishte marrë me qera disa muaj më parë, ishte thyer në muajin qershor të këtij viti.

“Rasti ka ndodhur më 6 qershor 2024, për shkak të pronave që kanë tentu me i votu. Ne kemi tentu me i ndërpre votimin e atyre pronave. Rasti ka ndodhur në Korroticë të Epërme, kam qenë në lëvizje dhe unë mendoj që ka qenë e menduar mirë…” – ka thënë ai.

“Mua po ma merr mendja që për qito prona se kam reagu shpesh, po nuk ka ndodhur në ditën kur ka pasur mbledhje Kuvendi Komunal, vec unë e kam postu atë ditë në mëngjes, para mbledhjes. Unë se kam cek as ditën as datën në postimin tim” – ka deklaruar ish-kandidati për asamble.

Në anën tjetër, në një deklaratë për KALLXO.com pronari i veturës që shihet në videon e publikuar ka konfirmuar se rasti ka ndodhur kohë më parë dhe nuk ka ndodhur të enjtën më 19.09.2024.

“Rasti ka ndodhur me 05.06.2024, nuk ka ndodhur këto ditë, ka ndodhur në qershor në autostradë në Korroticë, ka qenë aksident e aktualisht vetura është e konfiskune në Fushë Kosovë, që rreth 20 ditë. Në kohën kur ka ndodh rasti e ka pasur veturën me qera” – ka thënë Ardian Bytyqi pronar i veturës dhe sallonit të veturave “Rent a car Albijoni”.

Iniciativa politike “Demokratët për Drenasin” kanë kundërshtuar të enjten dhënien në shfrytëzim të disa pronave publike.