Sqarohet Murati: Ja kush i kishte ndal në tërësi shtesat për pensionistët

Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve ka sqaruar vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth ndarjes se mjeteve financiare për skemat sociale dhe pensionale.

Murati ka thënë se shtesat prej 20 eurove për pensionet janë bërë pasi që prej muajit mars e këndej, kësaj kategorie u ishin ndalur shtesat.

“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro, vetëm për tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave ka theksuar se pa vendimin e djeshëm të qeverisë, krejt çka do të merrnin pensionistët do të ishte shuma prej 75 apo 90 eurove, duke shtuar se shtesat prej 20 eurove do të vazhdojnë gjatë tërë vitit.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka theksuar Murati.

Gjatë ditës së djeshme, Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka treguar rreth shumës së mjeteve që janë ndarë për zyrtarët policorë dhe punëtorët shëndetësorë të angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Një pako 20 milionë për të ndihmu apo zbut efeketet e pandemisë që ka pasur në ekonominë e vendit dhe për të ndihmuar ata që po përballen në frontin e parë. Me saktësisht bëhet fjalë 6 milionë euro për gastronominë dhe bizneset tjera si qendrat tregtare, fitneset. Kjo masë do të subvencionojë pagat dhe qiratë deri në 50%”, tha Murati.

Ministri gjithashtu bëri të ditur se nga kjo shumë prej 20 milionë eurove do të përfshihen edhe përfituesit e skemave sociale e pensionale.

“Për skemat sociale do të ndahen 30% për shumën që ata e marrin normalisht. Tek skemat pensionale, do të bëjmë subvencionim, për skemat që janë nën 100 euro do të subvencionohen deri në nivelin kur arrijnë në 100 euro”, tha ai.

Ndahen mjete financiare për shtesa në pagë për policët dhe zyrtarët shëndetësorë