Dyshohet se rrahu nënën dhe vëllain e pastaj sulmoi edhe zyrtarin policor

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person dyshohet se i ka sulmuar fizikisht nënën dhe vëllain e tij, për çka edhe është arrestuar.

Sipas Policisë, i njëjti gjithashtu gjatë arrestimit, e ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët e organeve të rendit. Rasti ka ndodhur në Pejë pasditen e të dielës.

Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës përcakton, se kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Sa i përket dhunës në familje, ky kod përcakton se kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet.