Dy persona arrestohen për dhunë në familje

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit, ndërsa janë arrestuar dy persona.

Sipas policisë, raste e dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, Suharekë e Malishevë.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

I dyshuari është arrestuar nga policia dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Suharekë, policia ka arrestuar një persona për dhunë në familje. “Është arrestuar i dyshuari i cili pas një mosmarrëveshje kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, si pasojë e dhunës fizike viktima kishte pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor.

I dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë është raportuar se viktima ka ikur nga shtëpia e saj për shkak të dhunës psikike të ushtruar ndaj saj.

E njëjta, sipas policisë është dërguar për tretman mjekësor.

Policia thotë se me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.