Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy OJQ-të që përfituan subvencione nga Komuna e Prizrenit pa i plotësuar kriteret

Dy OJQ kanë përfituar subvencione nga Komuna e Prizrenit, ndonëse sipas auditorit, ato nuk i kanë plotësuar kriteret.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga komuna e Prizrenit se cilat janë këto dy OJQ dhe nëse janë bërë shkelje gjatë procesit të subvencionimit.

Sipas komunës, OJQ-të që kanë përfituar subvencione janë klubi i futbollit “Liria”, me projektin “Zhvillimi i sportit, Futbollit” dhe klubi i basketbollit “Bashkimi” me projektin “Basketbolli për të gjithë”.

Sipas raportit të auditorit, këto OJQ janë subvencionuar edhe pse kishin borxhe të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës, si një ndër kriteret për subvencionim.

Kritereve të vendosura në thirrjen publike të datës 13 tetor 2020 për subvencionim të OJQ-ve, bërë nga Komuna e Prizrenit ishin: formulari, kopje e letërnjoftimit, certifikata për regjistrim si OJQ, certifikata që nuk janë nën hetime, dëshmitë që nuk kanë obligime ndaj ATK-së dhe konfirmim nga banka e aplikuesit.

Në përgjigjet që komuna i ka dërguar në adresë të KALLXO.com thuhet se shuma e subvencionuar për klubin e futbollit “Liria” është 77,000 mijë euro (70,000 euro për klubin e meshkujve dhe 7,000 euro për klubin e femrave), ndërsa shuma e subvencionuar për klubin e basketbollit “Bashkimi” është 65,000 mijë euro.

“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport i pranon gjetjet në fushën e Rinisë dhe Sportit, pasi që vendimet e Komisionit Vlerësues janë marrë sipas frymës së vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për shtyrjen e pagesave të OJQ-ve nga ATK, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19. Kjo është edhe arsyeja pse nuk janë kërkuar edhe vërtetimet e ATK-së për borxhe”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Po ashtu, komuna për KALLXO.com ka bërë të ditur se pas shfuqizimit të vendimeve të Qeverisë për pagesat e ATK-së, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka kërkuar vërtetimet e OJQ-ve në fjalë, gjë që ka rezultuar se klubi i basketbollit “Bashkimi” ka sjellë vërtetimin pa borxhe, ndërsa klubi i futbollit “Liria” ka sjellë vërtetimin që ka lidhur kontratë me ATK-në për shlyerjen e borxheve me këste.

Vërtetimet mund t’i gjeni KËTU.