Foto: KALLXO.com

Dy persona intervistohen si të dyshuar pas bastisjes së aneksit të objektit të Policisë që u shfrytëzua nga një OJQ 

Dy persona janë intervistuar si të dyshuar e disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve mbrëmë pas bastisjes e cila u zhvillua në orët e pasdites në një objekt-aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. 

Ky objekt-aneks u shfrytëzua për vite me radh; nga një OJQ ndërsa brenda dyshohet se u ushtrua veprimtari mjekësore e farmaceutike në mënyrë të paligjshme. 

Prokuroria ka njoftuar sot se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin-aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, ekipe nga prokuroria, policia e dogana, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. 

Në objekt është kryer bastisje, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

“Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike””- thuhet në njoftim.  

Gjithashtu, prokuroria ka njoftuar se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë.

KALLXO.com raportoi në lidhje me këtë ngjarje mbrëmjen e kaluar. 

Sipas informacioneve që ka siguruar KALLXO.com muaj më parë ishte bërë një kërkesë nga ana e zyrës së drejtorit të Policisë në Prishtinë për lirimin e kësaj hapësire nga kjo organizatë jo qeveritare.