Foto: Albin Kurti, Facebook

Dy mënyrat për të diskutuar me opozitën për çështjen e dialogut, sipas Kurtit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti i është përgjigjur kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për raportim në Kuvendin e Kosovës për çështjen e dialogut.

Kurti tha se është i hapur për të diskutuar për këto çështje por, sipas tij janë dy mënyra për ta bërë këtë.

“Unë jam shumë i hapur për t’i diskutuar këto gjëra, por duhet të kuptoni që janë dy mënyra për këtë gjë; Ose takim me liderët e partive për hollësitë ose raportim në Kuvendin e Kosovës me dyer të mbyllura e me kërkesë të opozitës”- deklaroi Kurti.

Keu i ekzekutivit tha që seancën për raportim është më mirë që të mos e thërras ai, pasi siç tha Kurti, mund të akuzohen se kanë shpalosur hollësitë e procesit të dialogut.

“Në mënyrë që Kosova të jetë e mbrojtur është më mirë që këtë seancë të mos e thërrasë kryeministri sepse mezi s’presin të na akuzojnë se i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent por njëkohësisht të jetë edhe konfidencialiteti i bisedimeve aty. Nëse unë e thërras një seancë për detajet e përmbajtjes, kjo është shumë rrezik për Kosovën, nëse e bëj me dyer të mbyllura ose ta thërret opozita. Përndryshe në zyrën time me kryetarë të partive opozitare mund të takohem në çdo kohë”- shtoi Kurti.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia ka parashtruar disa pyetje kreut të ekzekutivit pasi sipas Abdixhikut, Kurti nuk raporton në Kuvend para dhe pas shkuarjes në Bruksel.

“Në marrëveshjen e pranuar nga ju, a bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme apo për një marrëveshje bazë dhe jo përfundimtare? Marrëveshja e pranuar a e ka njohjen e ndërsjellë në qendër, pra aktin kur Serbia e njeh Kosovën dhe Kosova ndërsjellasi Serbinë? Marrëveshja e pranuar a i ka elementet e platformës suaj që na prezantuat në gusht të 2022-tës, pra dëmet e luftës dhe kompensimet? Kjo marrëveshje, a parasheh rikonsiderimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake apo implementimin e të gjithave pa dallim”- theksoi Abdixhiku.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas drekës me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të hënën tha se Kosova e pranon propozimin e BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

Ndërkaq pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Lajçak tha se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.

Në fund të gushtit të vitit të kaluar, Kurti ishte takuar me Abdixhikun dhe kreun e AAK-së Ramush Haradinaj për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të fundit në nivel liderësh të zhvilluar në Bruksel më 18 gusht mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Këtij takimi nuk i ishte bashkuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.