Dy anëtarët nga LVV-ja lëshojnë mbledhjen e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore
Anëtarët Halil Thaçi dhe Salih Zyba nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit hetimor në lidhje me rezervat shtetërore, më 28.02.2024.
Anëtari Thaçi nga LVV-ja tha se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e këtij komisioni, derisa prezentë të mos jetë edhe anëtarja, njëherësh deputetja Doarsa Kica-Xhelili nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“Që nga fillimi kam vërejtë një pengesë nga LDK-ja për punën e këtij komisioni. Ata na kanë akuzu vazhdimisht që kemi të bëjmë me keqpërdorime. Derisa iniciuesi i këtij komisioni nuk është prezent, më saktë përderisa Doarsa Kica-Xhelili nuk merr pjesë në këtë komision, nuk marr pjesë as unë” – tha deputeti.
Pas tij, bashkëpartiakia e Kica-Xhelilit, Valentina Rexhepi tha se komisioni nuk është iniciuar as në emër e saj e as në emër të deputetes tjetër, por është iniciuar nga LDK-ja.
Tutje ajo tha se është deputeti i LVV-së, Armend Muja personi që sipas saj ka pas në së shumti mungesa.
“Po dojmë me vazhdu për punë, jeni të zgjedhur të qytetarëve dhe kush çka përfaqëson ju përgjigjemi atyre. Unë ju lus që opozita dhe pozita që të vijnë me marrë pjesë se jemi në afate të shkurtra, besoj që filma mjaftueshëm ka pasë, tash vazhdojmë me punë. Nëse doni me gjet arsyetim jemi në rregull vec publikojeni, njëherë kapeni për letra tash për kolegen” – tha Rexhepi.
Pas deputetes së LDK-së reagoi edhe deputeti i LVV-së, Driton Hyseni.
“Ishte vendim i tij [Halil Thaçit] që ishte si rrjedhojë e debatit të mbledhjes kaluar, dy përfaqësueset e LDK-së nuk ishin në fillim dhe këtu ishte qëndrimi i tij. Duke marrë parasysh edhe ftesën vonë dje nga kryetari, ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe jo sipas qejfeve të deputetëve të opozitës. Ju e dini që ne kemi përplasje të madhe sa i përket pyetjeve në MINT që ishin dërguar nga një deputet që i ka shtruar edhe ne seance dhe ka marr përgjigje, kjo ka qenë ndesh me atë se cak jemi marr vesh” – tha deputeti.
E pas kësaj, edhe deputeti Zyba lëshoi mbledhjen duke thënë “Tash po ju tregoj qe as unë nuk do jem këtu tash e tutje”.
Në përpjekjen e tetë, më 30.11.2023, ishte konstituuar komisioni hetimor parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Formimi i komisionit erdhi pas raportimeve në media për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.