Ilustrim

Dy aksidente me fatalitet në rrugët e Kosovës brenda një ore

Brenda pak më shumë se një orë kanë ndodhur dy aksidente me fatalitet në rrugët e Kosovës. Njëri ka ndodhur rreth orës 13:15 në fshatin Fshaj të Gjakovës dhe tjetri ka ndodhur rreth orës 14:35 në hyrje-dalje të autostradës në Lipjan.

Në aksidentin që ka ndodhur në rrugën Gjakovë – Prizren, ka humbur jetën një 71 vjeçare, ndërsa 3 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

“Të përfshirë në aksident kanë qenë një veturë dhe një kamion ku për pasojë përveç dëmeve materiale, katër persona kanë pësuar lëndime trupore, njëri nga të cilët (viktima femër, rreth 71 vjeçare) ka ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ndërsa te aksidenti tjetër një person ka vdekur nga goditja e kamionit. Dyshohet se drejtuesi i kamionit për shkaqe të panjohura ka dalë nga kamioni duke mos e frenuar dhe për pasojë ka lëvizur duke aksidentuar drejtuesin e kamionit, i cili ka marrë lëndime të rënda.

“Dyshohet se drejtuesi i kamionit për shkaqe të panjohura (mund të jetë ndonjë defekt në kamion), ka dalë nga kamioni. Dyshohet se kamioni nuk është siguruar, ndalur (frenuar) mirë dhe për pasojë ka lëvizur duke aksidentuar drejtuesin e kamionit i cili ka marrë lëndime të rënda. Ekipi mjekësor ka konstatuar se personi i aksidentuar është pa shenja jete”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.