Drejtori i Gjinekologjisë flet për mungesën e sapunëve dhe letrës higjienike në tualetet e Klinikës

KALLXO.com vazhdimisht është duke raportuar për papastërtinë dhe mungesën e sapunit dhe letrave higjienike në tualetet e klinikave dhe qendrave të tjera mjekësore.

Më 21 janar të këtij viti ekipi i KALLXO.com ka qenë edhe në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK për të parë se si është gjendja me pastërtinë në tualete.

Fotografitë e këtyre tualeteve janë paraqitur përballë drejtorit të kësaj Klinike, Jakup Ismajlit, gjatë emisionit “Kallxo Përnime”.

Në tualete mungon sapuni e letra higjienike, ndërsa tavani është i  zhveshur.

Drejtori Ismajli thotë se pacientët nuk po dëshirojnë t’i pastrojnë duart me një sapun për shkak të pandemisë dhe kjo është arsyeja pse nuk janë të furnizuara këto tualete me sapunë e letra higjienike.

“E din ku është problemi me një sapun pas pandemisë nuk po shkon kurrkush me i pastru duart. Edhe pompën (e sapunit të lëngshëm) po e mbajnë për vete”, arsyetohet drejtori, duke theksuar se një problem i tillë do të zgjidhet brenda tre muajve.

Vendi është duke u ballafaqur me numër të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe mbajtja e higjienës është njëra ndër mënyrat për të parandaluar përhapjen e infeksionit e në anën tjetër në shumicën e institutcioneve shëndetësore në vend për të cilat kemi raportuar papastërtia dhe mungesa e sapunit është e theksuar.

Tualetet në Gjinekologji pa sapun e letra higjienike (VIDEO)