Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tualetet në Gjinekologji pa sapun e letra higjienike (VIDEO)

Gratë shtatzëna të cilat janë duke pritur lindjen e fëmijëve në Klinikën e Gjinekologjisë Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po ballafaqohen me mungesë të preparateve e letrave higjienike në këtë klinikë.

KALLXO.com ka siguruar video dhe fotografi të banjës në katin e dytë të kësaj klinike.

Ujë që rrjedh nëpër guaskat e dëmtuara të banjës, mungesa e sapunëve e letrave higjienike janë problemet me të cilat ballafaqohet secila grua në këtë klinikë.

 

Toaleti në katin e dytë në Klinikën e Gjinekologjisë Obstetrike në QKUK
FOTO:KALLXO.com
16.03.2021

Drejtori i klinikës, Jakup Ismaili, thotë se furnizimi më preparate dhe letra higjienike bëhet dy herë në javë.

Ai, potencoi se sot janë furnizuar mirëpo janë në pritje të shpërndarjes nëpër reparte.

“Furnizimi me detergjent dhe letra higjienike bëhet prej SHSKUK- së dhe bëhet një herë në dy javë në mënyrë proporcionale. Nga 10 litra detergjent të lëngshëm dhe 20 tuba letra higjienike për repart. Furnizimi i fundit qenka kryer sot dhe qenka duke u shpërndarë nëpër reparte”, tha ai në një përgjigje për KALLXO.com.

Ismaili arsyetohet se mund të ndodh të ketë mungesë herë pas herë pasi, siç thotë ai, janë 220 paciente të hospitalizuara dhe mbi 150 punëtorë në ndërrim të ditës.

“Sa i përket dezinfektimit të banjove dhe dyshemeve, kemi furnizim të mjaftueshëm dhe furnizimi bëhet dy herë në javë”, theksoi tutje Ismaili.

Pothuajse e njëjta gjendje ka qenë edhe më parë në këtë klinikë.

KALLXO.com më 27.08.2020 pati raportuar për mungesë të letrave higjienike dhe detergjenteve nëpër toaletet e kësaj klinike.

 

 

Gjinekologjia, klinika ku letrat higjienike ‘nuk kanë vend’