Foto-ilustrim

Dosja nga Podujeva: Vodhi mjaltë, kabllo, aparat për matjen e tensionit dhe këpucë, dënohet me 3 vite burgim

A.H. nga Podujeva do të qëndrojë në burg për tri vite pasi është shpallur fajtor për vjedhjen e gjërave që kapin vlerën 1,250 euro.

Dosja e publikuar nga Gjykata tregon se në mesin e gjërave që vodhi i dyshuari ishin tre kavanoza me mjaltë, disa kabllo elektrike, disa llamba, një aparat për matjen e tensionit dhe disa këpucë për gra, vlera e të cilave llogaritet 1,250 euro.

Sipas dosjes së Gjykatës, më 10 janar 2023, A.H. duke përdorur forcën ishte futur dhunshëm në një lokal në Podujevë dhe kishte kryer vjedhjen

Pronarët kishin vërejtur prezencën e të dyshuarit ndërsa Policia kishte arritur ta kapte të njëjtin në flagrancë.

Dosja e Gjykatës tregon se i dyshuari e kishte pranuar fajësinë dhe ishte duke u ndjekur për një vepër të ngjashme penale në një rast tjetër.

Gjykata me rastin e matjes së dënimit e ka marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, kurse si rrethanë rënduese gjeti faktin se ndaj të pandehurit është duke u zhvilluar procedurë tjetër penale, ku ai është akuzuar për të njëjtën vepër.

Aktgjykimi është shpallur më 10 shkurt 2023 nga gjyqtari i vetëm gjykues Minir Hoti i Gjykatës së Prishtinës, dega në Podujevë.

Me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit në procedurë, Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit nga data 10 janar 2023, dhe më pas në shqyrtim fillestar ka vazhduar këtë masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në kohën e mbajtjes së dënimit.

Kodi Penal parasheh se kushdo që kryen veprën – vjedhja e rëndë kur vepra është kryer duke thyer, kaluar apo depërtuar me forcë në hapësirat të mbyllura ose duke hequr pengesat e tjera me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohet me 3 deri në 7 vite burg.