Zyrtari i Policisë së Kosovës Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Ish-polici u ndihmoi të dyshuarve për fajde t'i shmangeshin arrestimit nga Policia

Në mesin e 7 personave të arrestuar dje nën dyshimin për vepra të ndryshme penale është edhe ish-polici i Kosovës, N.Xh.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, të siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri N.Xh. dyshohet se u ka ndihmuar të dyshuarve për fajde F.G., T.G., I.G., D.R., Rr.S., F.V., I.V. dhe K.D. t’i shmangen arrestimit.

Prokuroria pretendon se ai i kishte njoftuar ata se do të zbatohet një kontroll nga Policia e Kosovës në shtëpitë dhe auto-sallonet e tyre.

Kur është zbatuar urdhri për kontroll nga Drejtoria e hetimeve të krimeve të rënda në Prishtinë, të dyshuarit nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre, pasi që ishin arratisur.

Ndërsa, i pandehuri I.S. dyshohet se e ka nxitur dëshmitarin – të dëmtuarin që të japë deklaratë të rrejshme në procedurë penale duke i ofruar atij shumën prej 40,000 eurosh, në mënyrë që ai ta tërhiqte deklaratën e mëparshme që e kishte dhënë para hetuesve të DHKR-së në Prishtinë.

I pandehuri tjetër R.C. dyshohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për personin tjetër, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrje të personit zyrtar duke kërkuar nga familjarët e të pandehurve Gëzim dhe Salih Sinani shumën prej 100 mijë euro, që të njëjtit t’i lirojë nga qendra e paraburgimit në Gjilan, ku ndodheshin.

I pandehuri A.S. dyshohet se gjatë muajit prill i ka dhënë personit tjetër para që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Sh.H. i ka dhënë 30 mijë euro që të ushtrojë ndikim në mënyrë që ta lirojë nga paraburgimi të pandehurin F.S., i cili ishte në paraburgim në Burgun e Gjilanit.

Ky ndikim nuk është realizuar, thotë dosja e Prokurorisë.

Sipas dosjes së siguruar, provat më të cilat disponon Prokuroria në të cilat mbështet pretendimet e saja janë dëshmitë e dëshmitarëve, dëshmitarit anonim, monitorimin e bisedave, ekzaminimet e kamerave në Gjykatën e Pejës, auto-sallonin e të pandehurve, si dhe në disa objekte afariste.

Sipas urdhrit të Gjykatës gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar dhe sekuestruar përkohësisht sende të cilat do të jenë si prova në procedurë hetimore.

Në kërkesën që Prokuroria e ka bërë në Gjykatën e Ferizajt për caktimin e paraburgimit ndaj 7 të arrestuarve ka renditur arsyet për të cilat ka kërkuar këtë masë.

Përsëritja e veprës penale, frika e asgjësimit, fshehjes ndryshimit ose falsifikimit të provave, pengimi i procedurës duke ndikuar në dëshmitarë të cilët nuk janë dëgjuar ende  – janë baza ligjore që Prokuroria ka mbështetur kërkesën e saj që të pandehurve t’u caktohet paraburgimi.

Raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni në këtë LINK. (https://kallxo.com/tag/besnik-berisha/)