Dosja e 400 kg kokainë: I akuzuari heq dorë nga marrëveshja me prokurorinë

Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe  Fehmi Bytyqi, janë të akuzuarit për krim të organizuar, lidhur me gjetjen e 400 kg drogë në kamionin e biznesit “MC Food” Sh.p.k  në maj të vitit 2021.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit me qëllim, dhe duke qenë në dijeni kanë vepruar secili në forma të ndryshme në aktivitet kriminal.

Ata akuzohen se përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur substance narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17 maj të vitit 2021 në sasi prej 400 kilogramësh.

I akuzuari Kadri Sheqiri para trupit gjykues i përbërë nga Musa Konxheli kryesues, Valon Kurtaj  dhe Valbonë Selimaj anëtarë, në seancën e së martës deklaroi se heq dorë nga cilësia e dëshmitarit bashkëpunues dhe mbetet vetëm në cilësinë e të pandehurit.

Ai shtoi tutje se mbetet vetëm prapa deklaratës së dhënë për herë të parë në polici.

Avokati i tij mbrojtës Xhafer Maliqi u shpreh se në kuadër të rrethanave shpreh mosbesimin ndaj dëshmisë së tij në prokurori, dhe se është avokat i tij vetëm si i pandehur.

Lidhur me deklarimin e sotëm të të pandehurit Kadri Sheqiri, kryesuesi i trupit gjykues Konxheli tha se është barra e prokurorisë që lidhur me shpalljen apo heqjen e marrëveshjes të ndërmarrë veprime.

Prokuroria për ndërmarrjen e veprimeve sipas nenit 231 lidhur me këtë rast do ta njoftojë gjykatën.

Ndaj Izet Sheqirit dhe Faton Vrajollit rëndojnë akuzat që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen dhe organizimit të grupit kriminal dhe blerje, posedim, e shitje të narkotikëve, kurse mbajtja e paautorizuar e armëve është vepër me të cilën ngarkohet vetëm Izet Shaqiri.

Kurse, të akuzuarit Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi akuzohen nga prokuroria për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, dhe blerje, posedim e shitje e narkotikëve.

I akuzuari Izet Sheqiri pronar i kompanisë së lartcekur, kishte pranuar para trupit gjykues vetëm pikën e aktakuzës ku i njëjti akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e organizmit kriminal dhe ato që ndërlidhen me narkotikë, që i rëndojnë sipas prokurorisë speciale me prokuror të çështjes Valdet Gashi.

Aktakuza ndaj të pandehurve është ngritur më 14 nëntor të vitit të kaluar.

Emisioni #KallxoPernime ka transmetuar shfaqje ekskluzive të aksionit të policisë me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.