Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dorëheqja e disa policëve në veri, reagon ministri Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pas dorëheqjes së disa policëve të rinj.

Sipas Rashiq, policët e filluan dhe e përfunduan karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve të tyre.

“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese” – thuhet në reagimin e ministrit.

“Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar” – tha ministri.

Sipas tij, “një brigadë mercenarësh të pashpirt po i ndjekin me detyrën për të vjedhur planet dhe ëndrrat e tyre, për të shkatërruar familjet dhe jetën e tyre dhe për të thithur gjakun dhe vullnetin e tyre për të jetuar”.

“Mund të mos ju njoh personalisht, por më besoni e njoh mirë metodologjinë mizore të punës së tyre dhe e di se sa e vështirë është të qëndrosh i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm në kushtet jonormale dhe jomorale që na imponohen me dhunë” – tha ministri.

Tutje ai tha se nga sot, do të jetë me ta me të gjithë kapacitetin e tij personal dhe institucional.

“Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…” – u shpreh ministri.

Pas dorëheqjeve të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb kanë reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano e edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Dorëheqja e policëve në veri, reagon edhe ambasadori gjerman