Djali dhe vajza e 82-vjeçarit nga Podujeva janë afër shërimit

Djali dhe vajza e 82-vjeçarit nga Dumnica e Podujevës, që ka vdekur ditë më parë nga coronavirusi, janë në përfundim të shërimit.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari.

Rudari tha në testin e dytë kanë rezultuar negativ dhe që pritet që të lirohen për në shtëpi.

“Sipas informatave që kam marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Klinika Infektive të dy pacientët që janë vajza dhe djali i 82 vjeçarit të ndjerë, janë pothuajse të shëruar. Unë sot bisedova edhe me një prej familjareve të tyre, më njoftuan se edhe analizat e dyta që i kanë bërë kanë rezultuar negative, e që mund të konstatojmë se janë shëruar dhe janë drejt lirimit nga spitali”, tha ai.

“Sipas ekipit tonë mjekësor, të anëtarët e tjerë të familjes nuk kanë ndonjë simptomë edhe tashmë janë bërë edhe dy javë që kur janë të izoluar”, shtoi ai.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të rishqyrtojnë çështjen e karantimit, pasi që sipas tij, nuk ka arsyeje më që këto fshatra të mbesin në karantinë.

Gjithashtu, Rudari apeloi për ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë për pajisje mbrojtjes pasi që përveç në QKMF, ai thotë se nevoja të mëdha ka edhe për pikën kufitare në Merdare.

“Deri më tani mbi 5,500 udhëtarë janë kontrolluar dhe vizituar nga ekipa jonë mjekësore atje”, shtoi Rudari.

Numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 71.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia mbrëmë ka njoftuar se një pacient pozitiv me COVID-19 është afër shërimit.

Ndërsa, sipas infektologut Salih Ahmeti edhe disa persona të tjerë janë në prag të shërimit.

Ai tregoi se personi i cili u raportua më parë se është afër shërimit është nga Vitia, i cili sipas tij, përveç coronavirusit, ka të shoqëruar edhe sëmundje të tjera kronike.

Ahmeti mbrëmë njoftoi se në mesin e atyre që janë në rrugë të mirë të shërimit, është edhe i djalit i pacientit që ka vdekur (82 vjeçari nga Podujeva).