Ahmeti: Edhe disa pacientë janë afër shërimit nga coronavirusi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia minuta më parë ka njoftuar se një pacient që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 është afër shërimit.

Ndërkaq, infektologu Salih Ahmeti për KALLXO.com ka thënë se edhe disa persona të tjerë janë në prag të shërimit.

Ai tregoi se personi i cili u raportua më parë se është afër shërimit është nga Vitia, i cili sipas tij, përveç coronavirusit, ka të shoqëruar edhe sëmundje të tjera kronike.

“Ai është një pacient që ka shumë sëmundje kronike shoqëruese, multisistemike që do të thotë prekje të disa organave. Ia kemi dalë shumë mirë deri më tash që ta menaxhojmë deri më tash dhe është në rrugë të shërimit nga coronavirusi, Jo vetëm ky por janë edhe disa pacientë në prag të shërimit. Po bëjmë gjitha përpjeket më i shëru të gjithë, por ka edhe prej atyre që janë në gjendje të rëndë”, tha Ahmeti.

“Në mesin e atyre që janë në rrugë të mirë të shërimit, është edhe i djalit i pacientit që ka vdekur (82 vjeçari nga Podujeva)”, shtoi ai.

Deri më tani numri me të infektuar me coronavirus ka arritur në 71.

Ministri Arben Vitia sqaroi se për të konstatuar shërimin e një pacienti me COVID-19, nevojiten të bëhen 2 (dy) testime dhe nëse dalin negative, mund të konstatohet se pacienti është shëruar.

Sipas ministrit Vitia, njëri nga pacientët me COVID 19 ka rezultuar negativ në testin e parë.

Ministri Vitia: Kemi rezultatin e parë negativ të njërit nga pacientët që ishte infektuar me COVID-19