Dita e marrëveshjes së mundshme Kosovë-Serbi

Me prezencën e konfirmuar të Presidentit amerikan Donald Trump, sot në Uashington të SHBA-së është paralajmëruar nënshkrimi i një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Pjesëmarrjen e Presidentit amerikan Trump e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Sipas njoftimit, Trumpi do të jetë pjesë e takimit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes në orën 11:00 (sipas kohës në Uashington), si dhe do të mbajë më pas një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi i sotëm i paraprin atij të së enjtes, për të cilin u diskutua mes tjerash edhe një pikë e marrëveshjes, në të cilën  siç raportuan mediat serbe, Serbisë i kërkohej njohja e Kosovës.

Por kjo pikë e dokumentit, sipas palës serbe është refuzuar nga ta, ndërkaq emisari amerikan për dialogun mes  Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell i hodhi poshtë raportimet, duke i quajtur të pavërteta.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur historik takimin që sipas tij është një hap drejt përmbylljes së marrëveshjes finale me Serbinë.

Ai pohoi se të premten do të ndodhë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne tash kishim një takim bashkë më presidentin serb, nesër presim që ta finalizojmë këtë angazhim që e kemi pasur tash e sa kohë. Informata më detaje do të ketë nesër”, ka shtuar Hoti

.I pyetur nëse djenë bisedime, Serbisë i është ofruar në tavolinë njohja e Kosovës, ai nuk pranoi që të japë detaje.

“Një gjë mund të ju them që marrëveshje të dëmshme për Kosovën asnjëherë nuk kanë ardhur dhe asnjëherë nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. E kemi bërë një progres të madh në çuarjen e bashkëpunimit ekonomik dhe jemi një hap më afër përmbylljes së marrëveshjeve. Për çdo gjë që flasim me Serbinë, qëllimi jonë është njohja reciproke dhe sot kemi bërë një hap të madh në drejtim të përafrimit”, tha kryeministri kosovar.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve kanë nisur më 2011-ën.

Pas bisedimeve në nivel teknik, negociatat patën nisur në nivel politik.

Ndërkaq, në fund të 2018-ës dialogu ishte pezulluar për shkak të tarifës 100 për qind e vendosur nga Qeveria Haradinaj për produktet serbe.

Kosova dhe Serbia i janë kthyer takimeve në Bruksel pas heqjes së reciprocitetit, vendim i cili ishte vendosur nga Qeveria Kurti pas heqjes së tarifës doganore.

Të dyja vendet gjatë bisedimeve ndër vite kishin nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por shumica prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.