Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Planin  franko-gjerman.

Sipas Krasniqit, Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin.

“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin” – ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.

“Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë” – ka thënë Krasniqi teksa ka shtuar se aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

Tutje Krasniqi ka thënë se për dy vjet me radhë, e kanë mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë, e kanë inkurajuar që të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë dhe i kanë ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Mirëpo, sipas tij, Kurti ka injoruar çdo ndihmë e këshillë.

“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër” – është shprehur kreu i PDK-së.

“Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë. Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë” – Ka përmbyllur ai.

Sot ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi trepalësh në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Presidenti serb, Vuçiq para mediave tha që kryeministri Kurti nuk e ka pranuar formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse Kryeministri Albin Kurti pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruante planin e Bashkimit Evropian, i njohur si plani franko-gjerman.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka publikuar planin e njohur si Plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky plan përmban gjithsej 11 nene, si dhe një deklaratë në fillim të tij.