Trepça, Foto: KALLXO.com

Dita e dhjetë në minierë, 32 minatorë grevistë kërkojnë ndihmë mjekësore

32 minatorë kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve të fundit, të cilët janë në grevë tash e dhjetë ditë, duke kërkuar kushte më të mira pue.

Fahri Shabani, drejtor i Shëndetësisë në Mitrovicë ka konfirmuar numrin e minatorëve që kërkuan ndihmë mjekësore.

Të dhënat e tij u mundësuan përmes raporteve të ekipeve mjekësore të QKMF-së, të vendosura në kompleksin e minierës Trepça të cilët ofrojnë shërbime shëndetësore për minatorët në grevë.

“Në 24 orët e fundit ndihmë mjekësore kanë kërkuar 32 minatorë ,prej tyre 31 minatorë ndihmën mjekësore e kanë marrë nga ekipi mjekësor i QKMF-së dhe ekipi mjekësor i Kombinatit Trepça, kurse  një minator është dërguar  në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për trajtim më të avancuar mjekësor, ku pas marrjes së trajtimit gjendja shëndetësore është përmirësuar”-thuhet në raport.

Tutje Shabani shtoi se u bën thirrje institucioneve kompetente të angazhohen dhe të kontribuojnë në përfundimin e grevës.

Edhe nga Sindikata e minatorëve konfirmuan se greva po vazhdon.

Para dy ditës, KALLXO.com ka raportuar se ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim që t’u ndalohen pagesat për mëditje të rregullta dhe për shujtë të gjithë minatorëve që kanë qenë në grevë.

“Të gjithë punonjësit e Trepça Sh.A. të cilët kanë bojkotuar punën, ju ndalohet pagesa për mëditje të rregullta si dhe pagesa për shujtë që nga data 24.10.2023” – thuhet në këtë vendim.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se u.d. kryeshefi është bazuar në atë që punonjësit kanë bojkotuar punën pa paralajmërim si dhe bazuar në Ligjin për grevat, ku thuhet se “Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Këtë grevë, përmes së cilës po kërkohet edhe shkarkimi i tij, u.d. kryeshefi e ka quajtur të paligjshme, pasi që, siç thuhet në këtë vendim, greva nuk është paralajmëruar së paku 7 ditë më herët dhe është hapur pa këshill grevist.

Destan Kerleshi nga Sindikata e Punëtorëve të “Trepçës” tha për KALLXO.com se ky vendim është kërcënues dhe shantazhues, por që nuk do ta zbehë zërin e minatorëve.

“Ky është vendim i padrejtë ndaj minatorëve të cilët po e ngrisin zërin për të drejtat e tyre elementare, është shkelje e demokracisë dhe lirisë së fjalës” – tha Kerleshi.

KALLXO.com është munduar të kontaktojë edhe me u.d. kryeshefin e “Trepçës”, Enis Abdurrahmanin, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Minatorët janë zotuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6-10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.