Disa organizata jo-qeveritare nga veriu dënojnë sulmin në Zubin Potok
Disa organizata jo qeveritare nga veriu i Kosovës, kanë dënuar sulmin e mbrëmshëm në kanalin e Ilbër-Lepencit në Zubin Potok.
Organizatat që reaguan pas ngjarjeve në veri janë: CASA, NSI, ACDC, Aktiv dhe InTER.
“I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve shoqërorë dhe politikë në Kosovë që t’i qasen me përgjegjësi këtij incidenti dhe të veprojnë në përputhje me ligjin”- shkruhet në një komunikatë, të lëshuar sot më 31.11.2024.
Sipas tyre, institucionet përkatëse duhet të hetojnë të gjitha rrethanat e sulmit dhe të identifikojnë përgjegjësit, ndërsa organizatat ndërkombëtare, sipas tyre, duhet të sigurojnë funksionimin e duhur të forcave policore.
Në komunikatë thuhet ndër të tjera se institucionet përkatëse po ashtu duhet të punojnë, në mënyrë që “të prandalohet presioni ndaj komunitetit serb”.
“Institucionet përkatëse duhet të hetojnë të gjitha rrethanat e sulmit dhe të identifikojnë përgjegjësit, ndërsa organizatat ndërkombëtare duhet të sigurojnë funksionimin e duhur të forcave policore dhe të parandalojnë keqpërdorimin e këtij ngjarjeje për të rritur më tej presionin ndaj komunitetit serb në Kosovë”- shkruhet në komunikatë.
Tutje, në komunikatën e tyre, u është bërë thirrje edhe mediave që, siç thonë ata të raportojnë me përgjegjësi për këtë incident.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit