Shpërthimi në Zubin Potok

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit

Kurti: Sulmi terrorist ishte tentativë rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë

“Duhet të përgatitemi për gjithçka. Meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitetet dhe dijeninë që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë. Por punën kryesore e bëjmë ne, Policia, inxhinierët e KEK-ut, ekspertët në Ibër-Lepenc, qeveria dhe qytetarët. Ne jemi bartës të sanimit të kësaj gjendjeje sepse ata po sulmojnë në mënyrë tinëzare e qyqare. Dikur i kanë kontrolluar këto asete, i kanë pasur komunat, kanalin, Policinë, liqenin e Ujmanit. Sulmet e tyre vijnë sepse e kanë humbur kontrollin. Po t’i kishin sikur dikur, do ta shantazhonin komplet shtetin e Kosovës” – tha Kurti.

“Pra një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është dëmtuar nga sulmi i detonuar. Policia është në vendin e ngjarjes. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar ta dëmtoj infrastrukturën tonë kritike mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë” –  tha mes tjerash kryeministri Albin Kurti.

“Ne në veri të Kosovës nuk e kemi ushtrinë tonë. E kemi vetëm Policinë tonë. A ju kujtohet verën e kaluar sa thirrjet kanë qenë që Policia mos të ketë armë të gjata, ose të zvogëlohet numri i policëve, në mënyrë që mos të realizohen sulme më. Nuk kanë çka bëjnë më Kosovës. Siguria tash është më e madhe se kurdush më herët. Nga paniku i tyre dojnë të na bëjnë që edhe ne të kemi panikë. Nuk kanë çka i bëjnë Kosovës, Policisë e Ushtrisë të Kosovës. Por natyrisht që e gjejnë një person ta hudhë ndonjë granatë.” – tha Kurti.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar” – tha Kurti.

“Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes” – tha Kurti.

Konferenca e kryeministrit Albin Kurti pas zhvillimeve në veri të vendit.

01:21 – Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano e ka mbështetur reagimin e shefit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav në lidhje me shpërthimin në Zubin Potok.

Pietro Barbano theksoi se kryesit e shpërthimit që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit duhet të mbahen përgjegjës.

“E mbështesë plotësisht dënimin e fuqishëm të Aivo Orav të sulmit serioz të sotëm në kanalin Ibër-Lepenc dhe pasojat potenciale të tij. EULEX-i është i angazhuar në monitorimin e hetimeve të shpejta: autorët duhet të mbahen përgjegjës” – ka shkruar Pietro Barbano në platformën X.

00:52 – Reagon ambasadori gjerman, bën thirrje për hetim të plotë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde e ka dënuar po ashtu shpërthimin që ndodhi në Zubin Potok, të cilit i është referuar me sulm.

Përmes reagimit të tij, Rohde e ka shprehur edhe mbështetjen e Gjermanisë për autoritetet e Kosovës.

“E dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që prek komunitetet në mbarë Kosovën. I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare” – ka shkruar Rohde në platformën X.

 

00:39 – Bedri Hamza dënon sulmin në Zubin Potok: Organet e rendit të zbardhin sa më shpejt rastin

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër dhe kryetar i Mitrovicës sw Jugut, Bedri Hamza ka dënuar sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, teksa ka kërkuar nga institucionet e rendit dhe ligjit që të zbardhin sa më shpejt rastin.

Hamza ka shprehur shqetësim në lidhje me ndërprerjen e furnizimi të ujit të pijes dhe me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike.

“Erdha në Varagë të Zubin Potokut, në vendngjarje, për ta parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara në kanalin ujor nga mjeti shpërthyes. E dënoj aktin dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe ligjit, që ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Jam shumë i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike”- ka shkruar Hamza në Facebook.

Ai thekson se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e vendit të përfshira në sanimin e dëmit.

00:26 – LDK-ja dënon sulmet në veri: Akte terroriste të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dënuar fuqishëm sulmet në veri të vendit.

Përmes një komunikatë për media, LDK-ja u shpreh se këto janë “akte terroriste të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë në vendin tonë”.

“U bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin masa urgjente për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre veprimeve kriminale. Po ashtu, kërkojmë një koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar që këto sulme të mos përsëriten dhe të ruhet rendi dhe qetësia publike në Republikën e Kosovës”- thuhet në reagim.

LDK-ja thotë se mbetet e përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve dhe se qëndron fuqishëm përkrah institucioneve shtetërore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin dhe rendin në vend”.

00:06- KOSTT: Furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar se furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, KOSTT ka njoftuar të gjithë qytetarët e afektuar dhe të gjitha palët e interesuara se incidenti i raportuar së fundmi në kanalet e ujitjes në Ibër Lepenc në Zubin Potok nuk ka asnjë ndërlidhje me ndërprerjet e energjisë që lidhen me NS Prishtina 1, të shkaktuara nga incident i lokalizuar.

“Po ashtu, ekipet tona janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të energjisë elektrike”- njofton KOSTT.

Konferenca e kryeministrit Albin Kurti pas shpërthimit në veri

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar” – tha Kurti.

“Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes” – tha Kurti.

23:49- Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dënon sulmin në Ibër- Lepenc: Përgjegjësit të vihen para drejtësisë

Shefi i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka dënuar sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Orav ka thënë që ky sulm po privon një pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë.

“Unë tashmë kam ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”- ka shkruar Orav në “X”.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka dënuar sulmin në Zubin Potokut, që rezultoi me dëmtimin e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Policia e Kosovës ka vendosur një postbllok në afërsi Zubin Potok.

Ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se është vendosur një postbllok nga ana e Policisë së Kosovës vetëm pak metra para rrugës e cila të dërgon te kanali që u dëmtua për shkak të një shpërthimi që ndodhi në orët e mbrëmjes në Zubin Potok.

23:45 – Reagon ambasadori i Mbretërisë së Bashkuara, e quan incident serioz: Të hetohet shpejt për çdo sulm të qëllimshëm

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves e ka quajtur incident serioz shpërthimin që ndodhi në Zubin Potok, më 29.11.2024.

Ambasadori Hargreaves ka theksuar se incidenti në Zubin Potok ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë në disa pjesë të Kosovës.

“Incidenti serioz në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë të komuniteteve të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Ka nevojë të hetohet shpejt për çdo sulm të qëllimshëm në infrastrukturën kritike” – ka shkruar Hargreaves në Facebook.

23:39- Osmani pas shpërthimit në Zubin Potok: Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar në Facebook pas shpërthimit të fundit që ndodhi në orët e mbrëmjes më 29.11.2024 në Zubin Potok.

Sipas presidentes Osmani, bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.

“Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike” – ka shkruar Osmani në Facebook.

Në reagimin e saj, ajo i ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet e Kosovës po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë.

“Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e poashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë” – ka njoftuar Osmani.

23:35- SHBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc, i ofron mbështetje të plotë Qeverisë së Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dënuar sulmin në Zubin Potok, që rezultoi me dëmtimin e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës.

Ambasadori ka thënë se janë duke e monitoruar situatën nga afër dhe do të mbështesin një hetim gjithëpërfshirës.

Ai tha se i kanë ofruar mbështetjen e plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.

“Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor”- ka shkruat Hovenier në ‘X’.

Duke i quajtur veprime të dhunshme, Hovenier ka thënë se këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës.

“Kosova duhet të mbajë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”- ka shkruar ai.

23:20 – Kryeministri Kurti në konferencë për media pas shpërthimit në veri

Pas raportimeve për shpërthimin në Zubin Potok, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti do të mbajë një konferencë për media.

Konferenca për media pritet të nis rreth orës 23:30. KALLXO.com do t’iu mbajë të informuar për deklarimin e kryeministrit Kurti në këtë konferencë.

23:20 – Lista Serbe reagon pas shpërthimit në veri: Ky akt është kundër interesave të popullit serb

Përmes një njoftimi në Facebook, Lista Serbe e ka dënuar ashpër dëmtimin e kanalit të ujit të Ibër – Lepencit në Zubin Potok.

Lista Serbe e ka quajtur “sulm” atë që ndodhi në Zubin Potok, ndërsa është shprehur se kjo ngjarje ka shkaktuar trazira për serbët në veri të Kosovës.

“Ne duam të konstatojmë qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe Eulex-i hetim të menjëhershëm lidhur me këtë rast” – thuhet në njoftimin e Listës Serbe.


23:05 – Vendoset postbllok në Zubin Potok, çdo veturë po kontrollohet

Policia e Kosovës ka vendosur një postbllok në afërsi Zubin Potok.

Ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se është vendosur një postbllok nga ana e Policisë së Kosovës vetëm pak metra para rrugës e cila të dërgon te kanali që u dëmtua për shkak të një shpërthimi që ndodhi në orët e mbrëmjes në Zubin Potok.

Çdo veturë që po kalon në këtë zonë po identifikohet nga Policia.

Pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi shpërthimi në Zubin Potok | Foto: KALLXO.com, 29.11.2024

22:35 – Shpërthimi në Zubin Potok, ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes

Ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se njësi të shumta të Policisë janë në afërsi të vendit ku dyshohet se ka ndodhur shpërthimi në Zubin Potok, që rezultoi me dëmtimin e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

KALLXO.com sjell fotografi nga vendi i ngjarjes.

Policia po ashtu e ka rrethuar me shirit zonën ku presin të kryhen hetimet rreth asaj që ka ndodhur.

Përveç ekipeve të Policisë, në vend të ngjarjes ndodhen edhe ekipet e Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.

Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit, njësi të shumta të Policisë në vendin e ngjarjes | Foto: KALLXO.com, 29.11.2024
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit, njësi të shumta të Policisë në vendin e ngjarjes | Foto: KALLXO.com, 29.11.2024
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit, njësi të shumta të Policisë në vendin e ngjarjes | Foto: KALLXO.com, 29.11.2024

22:19 – Shpërthimi në Zubin Potok, reagon KEK-u: Shpresojmë në sanim sa më të shpejtë të dëmeve

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët institucional në vend dhe po trajtojnë këtë situatë.

“Me marrjen e njoftimit për shpërthimin në gypin e Ibër Lepencit, [KEK] është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë Ibër Lepencin, Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Ministrinë e Ekonomisë, organet e rendit dhe autoritetet tjera të përfshira” – tha për KALLXO.com, Bucolli, më 29.11.2024.

Sipas Bucollit, KEK shpreson për një sanim sa më të shpejtë të situatës, por deri më tani nuk ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.

“Për çdo zhvillim të ri, të gjitha palët e interesuara do të informohen në kohë optimale” – ka shtuar Bucolli.

Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit, njësi të shumta të Policisë në vendin e ngjarjes | Foto: KALLXO.com, 29.11.2024
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit
Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit, njësi të shumta të Policisë në vendin e ngjarjes | Foto: KALLXO.com, 29.11.2024

22:04 – Shpërthimi në Zubin Potok, vjen reagimi i Prokurorisë: Jemi duke punuar në identifikimin e të dyshuarve

Shpërthimi në zonën e Zupçës në Zubin Potok tashmë po hetohet, ndërsa Prokuroria e Mitrovicës ka konfirmuar për KALLXO.com se janë duke punuar në identifikim të personave potencial të dyshuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni në një bisedë me KALLXO.com ka konfirmuar se prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë.

Gjithashtu për ngjarjen Prokuroria e Mitrovicës po punon edhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Ajo çka mund të konfirmoj është se pas ngjarjes prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Njësinë e Antiterrorit. Gjithashtu, është duke u punuar për identifikimin e personave të dyshuar” – tha Preteni për KALLXO.com.

22:00 – Shpërthimi në Zubin Potok, Haradinaj kërkon bashkëpunim me KFOR-in dhe prezencën amerikane: Mjaft më me filma!

Në lidhje me shpërthimin që dyshohet se ka ndodhur në kanalin e ujit të Ibër – Lepencit në Zubin Potok ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe prezencën amerikane.

“Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin Potok manifeston mungesën e qasjes proaktive të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës” – ka shkruar Haradinaj në Facebook, më 29.11.2024.

Sipas Haradinaj, naivitieti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të Qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës.

“Mjaft më me filma!” – ka shkruar në fund Haradinaj.

21:48 – Kryeshefi i Ibër Lepencit: Është hedhur mjet shpërthyes, dëmtohet kanali kryesor, ndikohet edhe KEK-u, uji është ndalur

Kryeshefi i Ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenci’, Faruk Mujka e ka konfirmuar se ka pasur një shpërthim në Zupcë të Zubin Potokut.

Sipas Mujkës, një mjet shpërthyes është hedhur në kanal dhe ka dëmtuar një urë, ku një e murit ka rënë komplet.

Mujka ka konfirmuar se tani duhet të ndalet furnizimi me ujë dhe të sanohet problemi.

“Po një mjet shpërthyes është gjuajtur në kanal, është një urë që është dëmtuar dhe ka ra krejt komplet një muri. Duhet me u ndalë uji duhet me u sanu dëmi. Duhet sa më shpejt, sepse furnizohen ujësjellësit, furnizohet KEK-u, është kanali kryesor. Uji është ndalur, derisa të bëhet sanimi i dëmit” – ka thënë Mujka për KALLXO.com.

Shpërthimi në Zubin Potok, dëmtohet kanali i Ibër Lepencit

“Ajo pjesë është si urë, duhet me betonu e nuk mundemi sonte. Në Zupce është dëmtuar. E ndalë prodhimin KEK, po ne po mundohemi mos me ndalë, d.m.th KEK-u edhe 10-12 orë nuk e ka këtë krizë, kështu që ne po mundohemi me kry sa më shpejt” – tha Mujka për KALLXO.com.

21:38 – Në Zubin Potok pati shpërthim, konfirmohet nga NJësia e Deminimit të Policisë së Kosovës

Burime të KALLXO.com brenda Policisë së Kosovës e kanë konfirmuar se në Zubin Potok ka pasë një shpërthim.

KALLXO.com merr vesh nga burime të saj Njësitë e Deminimit të Policisë së Kosovës e kanë konfirmuar në vendin e ngjarjes ka pasë një shpërthim që ka hedhur në erë një pjesë të murit, ku aty kalon uji dhe furnizohen ujësjellsi i Ibër Lepencit dhe KEK-u

Kjo është konfirmuar pasi ekipet e Njësisë së Deminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

21:03 – Dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok

Një pjesë e kanalit të ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok është dëmtuar sonte, më 29.11.2024.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Zeqiri ka treguar se qytetarët kanë dëgjuar se ka ndodhur një shpërthim në pjesën ku ka rezultuar dëmtimi i kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

“Është dëmtuar total ura që kalon uji i Ibër-Lepencit dhe natyrisht që uji derdhet përmes prrockave, e ka dëmtu një shtëpi. Është dëmtu kanali Ibër-Lepenc në një përrua këtu dhe dyshimet janë prej detonimeve… Është ni një shpërthim sipas qytetarëve kështu” – ka thënë Zeqiri për KALLXO.com, më 29.11.2024.

Sipas Zeqirit, kanali i ujit të Ibër-Lepencit e përcjell ujin për të gjitha komunat nga Mitrovica e tutje, të cilat furnizohen me këtë ujë.

Ai ka treguar se në vendin e ngjarjes ndodhet bashkë me ekipet e sigurisë dhe zjarrfikësve.

“Ekipet e kanë ndërpre [ujin] atje është zvogëlu pak kjo derdhja e ujit, ekipet janë në terren edhe të Ibër-Lepencit edhe të zjarrfikësave edhe të Policisë, në terren janë ekipet të gjitha. Jam me ekipet këtu edhe unë” – tha Zeqiri.

Në lidhje me rastin KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryeprokurorin e Mitrovicës, Njiazi Rexha.

Rexha konfirmoi se kanë marrë një informacion për një detonim dhe se tashmë një prokuror po e trajton rastin bashkë me informacionet.

Në anën tjetër, Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” e ka konfirmuar po ashtu dëmtimin e një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit.

“Si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit, nga i cili kanal ne furnizohemi me ujë të pa përpunuar, është ndërprerërë furnizimi me ujë të pijes. Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijës. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar” – ka shkruar KRU “Mitrovica” në Facebook.

KALLXO.com e ka pyetur edhe zëvendësdrejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshanin dhe është në pritje të përgjigjeve.

Sot gjatë ditës, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë.