Dejgia e veturës në Zubin Potok | Foto: Blerim Vela/Twitter

Digjen dy vetura me targa RKS në Zubin Potok

Sot rreth orës 02:30 të mëngjesit dyshohet se dy serbëve të Kosovës në Zubin Potok u janë djegur dy veturat të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Këtë rast e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikatë për media.

“Më 30.03.2023, rreth orës 08:15, në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre të regjistruara rreth një javë më përpara” – thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, palët ankuese kanë raportuar se veturat e tyre kanë qenë të parkuara në lagjen e tyre, para shtëpive të banimit.

“Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit. Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në lidhe me këtë rast ka reaguar në Twitter edhe Shef i Stafit në Kabinetin e Presidentes të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë frikësimin e serbëve vendas në Zubin Potok. Mbrëmë dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës janë djegur me sa duket vetëm për shkak se kishin targa të veturës RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, targat 🇽🇰 janë të vetmet targa të veturave legale në të gjithë Kosovën” – ka shkruar Vela.