Dhjetë persona gjykohen për ngacmim online të zonjës së parë të Francës

Dhjetë persona do të dalin para drejtësisë në Paris për ngacmim online të Brigitte Macronit – faza e fundit në betejën ligjore në të dyja anët e Atlantikut kundër pretendimit të rremë se zonja e parë franceze është burrë me emrin Jean-Michel Trogneux, ka raportuar të hënën (27.10.2025) britanikja “The Guardian”.

Procesi gjyqësor francez mbahet pasi presidenti Emmanuel Macron dhe gruaja e tij ngritën padi për shpifje në SHBA në fundkorrik lidhur me thashethemet e shumta dhe të përsëritur online se Brigitte Macron ishte lindur burrë.

Padia amerikane e Macronit kundërshton ato që i quajti “gënjeshtra të verifikueshme të rreme dhe shkatërruese” që përsëriten online nga podkasterja djathtiste, Candace Owens, se Brigitte Macron, 72 vjeçe, ishte lindur mashkull. Padia amerikane pretendon se provat e hodhën poshtë qartë këtë “narrativë groteske”, e cila ishte kthyer në “fushatë poshtërimi global” dhe “ngacmimi të pamëshirshëm në shkallë botërore”.

Gjykimi francez për ngacmim online është i ndarë nga veprimi gjyqësor amerikan dhe lidhet me një padi ligjore të paraqitur nga Brigitte Macron në vitin 2024. Dhjetë të pandehur – tetë burra dhe dy gra, nga 41 deri në 60 vjeç – do të gjykohen në gjykatën penale të Parisit, të akuzuar për ngacmim online që synon Brigitte Macron. Nëse dënohen, mund të dënohen deri në dy vjet burg.

Të pandehurit, të cilët i hedhin poshtë akuzat, janë akuzuar për komente të shumta keqdashëse në lidhje me gjininë dhe seksualitetin e Brigitte Macronit, madje duke e barazuar diferencën e saj në moshë me burrin e saj me “pedofili”, njofton prokuroria.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com