
Seanca lidhur me padinë e Rashit Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit
Dështon sërish seanca për padinë e Rashit Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit
Seanca e sotme ku do të trajtohej padia e Rashit Qalajt ndaj zyrës së Kryeministrit lidhur me shkarkimin e tij nga pozita e Drejtorit të Policisë është shtyrë.
Arsyeja e shtyrjes së kësaj seance ishte mungesa e të autorizuarit të Zyrës së Kryeministrit.
Kjo pasi Gjykata s’kishte provë se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, ashtu që nuk janë plotësuar kushtet procedurale për mbajtjen e kësaj seance.
Seanca e radhës u caktua, për datën 3 shkurt në ora 14:00. Kujtojmë se ditë më parë, Qalaj ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës për shkak të aderimit të tij në Partinë Demokratike të Kosovës.
Më 4 janar KALLXO.com ka raportuar se Gjykata Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të policisë për Drejtor të Përgjithshëm ndërsa lënda do të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore.
Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konkursi i Policisë së Kosovës për Drejtor të Përgjithshëm ishte bllokuar. Kjo pas kërkesës së ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, në lidhje me caktimin e masës së sigurisë për të bllokuar konkursin deri në përfundim të kontestit gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me shkarkimin e tij muajin e kaluar.
Përmes kësaj padie, paditësi atakon vendimin e kryeministrit të datës 16 tetor 2020 me të cilin i njëjti është liruar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në padi thuhet se paditësi fare nuk ka qenë në dijeni, se është duke u përpiluar ndonjë raport për të. Nga ai nuk ishte kërkuar asnjë shpjegim apo dokument për përpilimin e tij. Sipas padisë, në rrethana të mungesës së arsyetimit, paditësi as me ankesë e as tash me padi e ka të pamundur që të paraqes mbrojtjen e tij, pasi nuk e din as arsyen e shkarkimit.
Sipas padisë, vendimi është në kundërshtim dhe me Ligjin për Policinë të sipërcituar pasi që vlerësimi i performancës duhet të jetë i dokumentuar.
Shtyhet seanca për padinë e Rashit Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit