Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Shtyhet seanca për padinë e Rashit Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit
Me kërkesë të avokatit të ish-Drejtorit të Policisë, Rashit Qalajt është shtyrë seanca ku do të trajtohej padia e tij ndaj zyrës së Kryeministrit lidhur me shkarkimin e tij.
I autorizuari i propozuesit Rashit Qalaj, avokati Adem Vokshi i dorëzoi Gjykatës një kopje të parashtresës për zgjerimin e kërkesëpadisë dhe propozimit të masës së sigurisë.
Poashtu kërkoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër, pasi që në të njëjtën kohë kishte dhe një seancë tjetër.
“Pasi që edhe vendimin e Gjykatës së Apelit e kam marrë para dy ditësh, e meqë në të njejtën kohë ne këtë gjykatë kam seancë në sallën tjetër, lus Gjykatën që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër”, tha avokati Vokshi.
Gjykata aprovoi propozimin për shtyerje të seancës, të bërë nga ana e të autorizuarit të propozuesit. Kjo me arsyetimin se pasi që është bërë zgjerimi i këtij propozimi, duhet të ftohet edhe kundër propozuesi i parë Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit.
Seanca e radhës u caktua, për datën 20 janar në ora 13:30.
Më 4 janar KALLXO.com ka raportuar se Gjykata Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të policisë për Drejtor të Përgjithshëm ndërsa lënda do të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka aprovuar ankesën e MPB-së në lidhje me bllokimin e konkursit të PK-së.
KALLXO.com kishte raportuar se me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konkursi i Policisë së Kosovës për Drejtor të Përgjithshëm ishte bllokuar. Kjo pas kërkesës së ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, në lidhje me caktimin e masës së sigurisë për të bllokuar konkursin deri në përfundim të kontestit gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me shkarkimin e tij muajin e kaluar.
Përmes kësaj padie, paditësi atakon vendimin e kryeministrit të datës 16 tetor 2020 me të cilin i njëjti është liruar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në padi thuhet se paditësi fare nuk ka qenë në dijeni, se është duke u përpiluar ndonjë raport për të. Nga ai nuk ishte kërkuar asnjë shpjegim apo dokument për përpilimin e tij. Sipas padisë, në rrethana të mungesës së arsyetimit, paditësi as me ankesë e as tash me padi e ka të pamundur që të paraqes mbrojtjen e tij, pasi nuk e din as arsyen e shkarkimit.
Sipas padisë, vendimi është në kundërshtim dhe me Ligjin për Policinë të sipërcituar pasi që vlerësimi i performancës duhet të jetë i dokumentuar.
Caktohet data e seancës për padinë e Qalajt ndaj Zyrës së Kryeministrit