Gjykata bllokon konkursin e Policisë së Kosovës ndërsa refuzon kërkesën e ish-kryeshefes së IPK-së për masë të sigurisë
Gjykata e Prishtinës ka vendosur që të aprovojë njërën nga dy kërkesat të cilat kishte pranuar nga ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe nga ish-kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi.
Qalaj dhe Kelmendi kishin kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të ndalohen dy proceset e rekrutimit për drejtor të ri të Policisë së Kosovës dhe kryeshef të IPK-së.
Ish-kryeshefja e IPK-së, Miradie Kelemndi, ka ushtruar padi ndaj Minsitrisë së Punëve të Brendshme ndërsa Qalaj ndaj Zyrës së Kryeministrit. Kjo për shkak që Kelmendi është shkarkuar nga një vendim i ish- ushtruesit të detyrës së ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla ndërsa Qalaj me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti.
KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin i cili ka përfaqësuar në Gjykatë, Qalajn dhe Kelmendin, Adem Vokshi.
Vokshi për KALLXO.com ka thënë se paditë kanë qenë me përmbajtje thuajse të njëjtë por vetëm njëra është aprovuar, ajo e Qalajt.
“Po, jam avokat i të dy palëve (Miradie Kelmendit dhe Rashit Qalajt). Gjyqtarja ka qenë e njëjtë. Njëra është aprovuar e tjetra jo. Nuk është aprovuar padia por është aprovuar kërkesa për masë të sigurisë në rastin e Qalajt. Unë konsideroj që të dy kanë pasur të drejtë porse si ka ndodhur që njëra të aprovohet e njëra të refuzohet atëherë e pyetni gjykatën që ka vendosur kështu sepse ajo e jep fjalën e fundit”, ka thënë në një bisedë telefonike avokati Vokshi.
Gjyqtare në të dy rastet është Saranda Bogaj-Sheremeti.
KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes të cilit aktvendim ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, ndaj ish- kryeshefes së IPK-së, Miradie Kelmendi.
Në vendimin e Gjykatës së Prishtinës, dokument këtë të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Kelmendi “ka ushtruar padi me propozim për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, kundër të paditurit Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ashtu që kundër të paditurit të sigurimit t’i ndalohet që të vazhdojë procedurat e rekrutimit për pozitën kryeshef ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës deri në përfundimin e kontestit me aktgjykim të formës së prerë”.
Qalaj dhe Kelmendi me anë të padive kanë kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë për të pezulluar konkurset, deri në përfundim të kontestit gjyqësor në lidhje me shkarkimet e tyre të cilat ndodhën muajt e kaluar.
Duke u bazuar në masën e sigurisë të cilën e ka ndërmarrë Gjykata e Prishtinës në rastin e padisë së Qalajt, konkursi i Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet i pezulluar deri në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë ndërsa pas refuzimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish –kryeshefes së IPK-së, Miradie Kelmendit, konkursi i IPK-së do të vazhdojë.