Rashit Qalaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata e Apelit vendos lidhur me masën e sigurisë për padinë e Rashit Qalajt

Gjykata Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me masën e sigurisë dhe pezullimin e konkursit të Policisë për Drejtor të Përgjithshëm duke e kthyer në rivendosje.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka aprovuar ankesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme  në lidhje me bllokimin e konkursit të Policisë.

Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, konkursi i Policisë së Kosovës për Drejtor të Përgjithshëm ishte bllokuar.

Kjo pas kërkesës së ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, në lidhje me caktimin e masës së sigurisë për të bllokuar konkursin deri në përfundim të kontestit gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit në lidhje me shkarkimin e tij muajin e kaluar.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Themelore, e cila ka bërë që të pezullohet konkursi për drejtor të ri të Policisë së Kosovës, këta të fundit janë ankuar në Gjykatë të Apelit.

Pasi ishte shkarkuar nga detyra, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka paditur Zyrën e Kryeministrit, ndërsa ka bërë kërkesë për pezullim të konkursit deri në përfundim të kontestit gjyqësor.

KALLXO.com kishte raportuar edhe se Gjykata e Prishtinës ka vendosur që të aprovojë njërën nga dy kërkesat të cilat kishte pranuar nga ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe nga ish-kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi. Qalaj dhe Kelmendi kishin kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të ndalohen dy proceset e rekrutimit për drejtor të ri të Policisë së Kosovës dhe kryeshefit të IPK-së.

Ish-kryeshefja e IPK-së, Miradie Kelmendi, ka ushtruar padi ndaj Minsitrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa Qalaj ndaj Zyrës së Kryeministrit. Kjo për shkak që Kelmendi është shkarkuar nga një vendim i ish- ushtruesit të detyrës së ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla ndërsa Qalaj me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti.

Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës janë duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit, respektivisht kryeshefit.

Në të dy këto institucione të sigurisë janë hapur konkurse për pozitën e drejtorit të përgjithshëm dhe kryeshefit të IPK-së.

Konkursi i Policisë së Kosovës për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është hapur më 19 nëntor ndërsa ai i IPK-së për kryeshef më 27 tetor.

Qalaj dhe Kelmendi me anë të padive kanë kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë për të pezulluar konkurset, deri në përfundim të kontestit gjyqësor në lidhje me shkarkimet e tyre të cilat ndodhën muajt e kaluar.

Gjykata bllokon konkursin e Policisë së Kosovës ndërsa refuzon kërkesën e ish-kryeshefes së IPK-së për masë të sigurisë