Salih Kqiku

Dështon seanca ndaj shefit të Prokurimit në Gjilan, nuk deklarohet pa avokat

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Salih Kqiku, shef i Prokurimit në Komunën e Gjilanit. Ai ka dalë para Gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Por seanca ndaj tij dështoi të mbahet pasi i akuzuari nuk kishte angazhuar mbrojtës dhe nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës nga Prokuroria.

Seanca u shty për 23 shtator.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit Salih Kqiku dyshohet se ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit në dy raste duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorëve ekonomik, kompanive nga Ferizaj.

Në aktakuzën e ngritur thuhet se i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në Zyrën e Prokurimit në Gjilan, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi nga data 22.10.2014 deri më datën 21.03.2017, ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, lidhur me kontratën kornizë “Mirëmbajtja e ndriçimit publik në fshatrat e komunës së Gjilanit”, e lidhur në mes të komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Elektring” nga Ferizaj, me afat tre vjeçar.

Sipas Prokurorisë kontrata e njëjtë ka zgjatur deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur që ta përmbyll të njëjtën, gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79,999.70 euro, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaj, ka sjellë rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale, në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit.

Gjithashtu Salih Kqiku akuzohet edhe për kontratën ”Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II” e lidhur mes komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona” e cila kontratë ka qenë tre vjeçare derisa ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278,438.21 euro duke dëmtuar operatorët e tjerë në Gjilan.