Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. 12.06.2023. Foto: KALLXO.com

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, të enjten mbahet seancë me pikat e mbetura nga java e kaluar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten pritet të mblidhet për të vazhduar pikat e mbetura nga seanca e mbajtur javën e kaluar.

Kështu kanë njoftuar sot shefat e grupit parlamentar të PDK-së e AAK-së, pas mbledhjes së Kryesisë të Kuvendit.

Në këtë mbledhje nuk është vendosur për seancë të re për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje.

Kryetari i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri teksa foli për mungesën e kuorumit, tha se bllokimi i agjendës parlamentare është i dëmshëm.

Ai njoftoi që PDK ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me çështjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Këtë çështje nuk arritëm me caktu në seancën e re sepse nuk kishte kuroum. Vendosëm që ditën e enjte të kemi vazhdimet e seancës aty ku kanë mbetur pikat javën e kaluar” – tha Tahiri.

Për shkak të mungesës së kuorumit, as çështja e ngritur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka arritur të vendoset për shqyrtim.

“Mbledhja edhe sot dështoi. Po vazhdon dështimi i mbajtjes së seancave të rregullta. Ne kemi thirru interpelancë ministrin Murati, për koeficientin zhgënjyes dhe mungesën e investimeve kapitale. Kjo interpelancë nuk do të ndodh sepse nuk ka seancë” – tha shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Sipas Besnik Tahirit, Qeveria dhe Kuvendi po e injorojnë edhe zhvillimet si pasojë e situatës në komunat në veri të Kosovës.

“Kosova tani është e izoluar dhe e sanksionuar nga SHBA-të. Kryeministri dhe Kuvendi janë duke e injoruar një situatë që është brengë për qytetarët. Për AAK-në vazhdim i kësaj qeverie është vazhdimi i varfërimit të këtij vendi dhe dobësimit të sovranitetit të Kosovës” – u shpreh ai.

Të enjten e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë plenare në të cilën u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës, në mesin e tyre edhe disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat u ratifikuan me dy të tretat e votave në Kuvend.

Të enjten Kuvendi ka shqyrtuar edhe Ligjin për zgjedhjet, i cili më shmangie të procedurave u miratua në dy leximet brenda ditës.

Seanca e të enjtes u mbyll për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar disa prej pikave të rendit të ditës.

Ndonëse në sallë pat numër të mjaftueshëm të deputetëve, në mungesë të votave të nevojshme për të disatën herë, Kuvendi nuk arriti qe ta miratojë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.