Dëshmitari në Hagë: Nofka e terrorizmit UÇK-së i është hequr me vizitën e Holbrooke në Junik

Sadik Halitjaha, ish-zv/komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, po vazhdon dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale.

Halitjaha po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts.

Avokati Roberts e pyeti dëshmitarin për periudhën e shkurt të vitit 1998 apo periudhën kur UÇK-së i referoheshin si organizatë terroriste.

Lidhur më këtë, avokati Roberts paraqiti një nga provat materiale, një deklaratë të përfaqësuesit të posaçëm amerikan, Robert Gelbard, të 22 shkurtit 1998, që i referohej UÇK-së dhe veprimeve te tyre si akte terroriste.

‘’Ndikimet e politikës jugosllave, propaganda jugosllave edhe sot UÇK-në e quajnë terroriste’’ – tha dëshmitari Halitjaha.

Tutje dëshmitari tha se “UÇK-së nofka e terrorizmit ju ka heq me vizitën e Holbrooke në Junik’’.

Sipas dëshmitarit, kur Richard Holbrooke ishte takuar drejtpërdrejt me UÇK-në në Junik, e kishte parë që UÇK-ja ishte organizatë luftarake dhe çlirimtare me uniformë, shenja luftuese, komandë dhe zinxhir komandues. Në atë kohë, Holbrooke ishte i Dërguari Special i Presidentit amerikan, Bill Clinton në Ballkan.

Ky takim kishte ndodhur në qershor të viti 98’ me Hajdin Abazin ndryshe i njohur me nofkën Lum Haxhiu, në qendrën komanduese.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.