Komisioni për siguri, Foto: KALLXO.com

Deputetja e PDK-së: Agim Veliu të ftohet në interpelancë dhe të kërkohet shkarkimi i tij

Komisioni për çështjen e Sigurisë dhe Mbrojtjes gjatë ditës së sotme u mblodh që të diskutojë në lidhje me ndryshimet në Policinë e Kosovës, shkarkimin e ish- Drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe për shuarjen e Task Forcës speciale kundër korrupsionit.

Në këtë mbledhje do të ishte dashur të raportonte edhe Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu por ai kishte refuzuar kërkesën duke u arsyetuar se nuk kishte kohë të lirë.

Anëtarja e komisionit nga PDK, Ganimete Musliu, propozoi që Veliu për shkak të neglizhencës që i ka bërë komisionit të ftohet në interpelancë në Kuvend.

Gjithashtu ajo shtoi se në atë interpelancë të kërkohet edhe shkarkimi i Veliut.

“Nëse thirret në interpelancën e ardhshme Agim Veliu atëherë duhet të kërkohet edhe shkarkimi i tij”, tha Musliu.

Musliu e vlerësoi të pakuptimtë dhe të papranueshme ‘injorimin e Veliut’ për të raportuar para komisionit.

“Është e pakuptimtë dhe e papranueshme injorimi i vazhdueshëm i ministrit Agim Veliu para komisionit për siguri. Çdoherë i kemi dërguar nga dy data se kur ai është i lirë dhe në asnjëherë nuk e ka pranuar dhe përgjigja e tij se agjenda e tij është e ngarkuar mua më duke më shumë kamuflim dhe papërgjegjësi e plotë”, tha Musliu.

Tutje deputetja e PDK-së, tha edhe se Policia e Kosovës ka filluar të degradohet.

“Ky institucion (policia) ka filluar të degradohet dhe të humbë respektin e qytetarëve. Ne duhet që edhe njëherë t’i drejtohemi me një kërkesë një ministri të papërgjegjshëm Agim Veliu. Nëse ministri ka pasur kohë me shku me pi kafe te Haki Rugova në Istog atëherë unë nuk e di pse nuk ka gjetur kohë t’i përgjigjet komisionit”, tha Musliu.

Hatim Baxhaku anëtar i komisionit nga LDK propozoi që t’i jepet një mundësi ministrit për të raportuar para komisionit.

“Sa i përket raportimit të ministrit dhe raportet siç po thoni jo të mira me komisionit unë mendoj se ministri duhet gjithsesi të raportojë por duhet të shikojmë edhe se cilat janë raportet mes kryetarit të komisionit dhe ministrit, pra çështjet e punës. Unë mendoj se duhet t’i japim edhe një mundësi ministrit”, tha Baxhaku.

“”Sa i përket task-forcës kam dëgju lajme, kam përcjellë lajme por edhe raportimin e kryeministrit për shuarjen e task-forcës dhe themelimin e kësaj task-force në vitin 2010 ku thuhet në pikën 1.Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in kërkojnë nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themelojë një departament special për anti-korrupsion me qëllim të luftimit të dukurive të korrupsionit ku pastaj bjen në kundërshtim me nenin 3, ku thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës merr përsipër përzgjedhjen 30 oficerëve hetues të cilët do të angazhohen drejtpërdrejtë në hetimin e rasteve, të cilat do të hetohen nga Departamenti special. ”, shtoi Baxhaku.

Tutje ai tha se “mendoj që kjo është ndërhyrje direkte e Qeverisë në drejtësi dhe kjo task-forcë e themeluar në këtë mënyrë është një mjet i Qeverisë për ta parandaluar korrupsionin dhe jo për ta ndaluar nëse dëshiron me punu në atë drejtim Qeveria. Kjo task-forcë duhet të themelohet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës siç është paraparë në pikën 1, ku Prokuroria Speciale duhet të themelojë këtë departament. Mendoj që Qeveria, ministri dhe kryeministri do të japin sqarime për këtë”.

Nënkryetari i komisionit Bekë Berisha (AAK) tha se e mbështet thirrjen për interpelancë për Veliun por jo edhe shkarkimin.

“E kam ditë që e kemi thirrë paska refuzuar prapë. Duhet me thirrë në interpelancë. Pata paralajmëru që ai që vjen do të jetë më i keq se i vjetri. Nuk ka polic i Kosovës qe nuk më ka thirrë edhe nuk më ka thënë ‘bravo ju koftë që e keni shkarku sepse kanë hetu njerëz me qëllime të caktuara’. Unë e di që edhe kryetari jem (Ramush Haradinaj) ka reaguar për Task Forcën. Unë mendoj që mirë është bërë mundet me u bo Task Forca tjetër me njerëz te rinj, njerëz të punës. Kjo është më e mira që ka ndodhë. M’ka hy në qejf Avdullah Hoti se po marrke vendime. Operacioni i Karaçevës ka qenë me qindra policë, dhe në fund dul që kanë arrestu kontrabandistë. Operacioni ka perfundu me edha”, tha Berisha.

Mefail Bajçinovci nga LVV tha se shkarkimi i Qalajt ishte hakmarrje.

“Dolën tenderët që ky ministër (Agim Veliu) i ka nënshkruar e që janë në vlera të mëdha dhe doli shkarkimi i Task Forcës e mirë apo e keqe ashtu siç ishte. Hakmarrja tjetër ishte pas arrestimit të Haki Rugovës. Neve të VV na thoshin po i shkarkoni bordet, po ama i shkarkojshit për keqpërdorime ndërsa këta shkarkuan njerëz që po i hetojnë. Ky është dallimi mes neve dhe atyre. Atë Task Forcë duhet me sjellë këtu të na tregojnë se a janë duke hetu tenderët e ministrit Agim Veliu. Mendoj se të ketë një komision hetimor”, tha Bajçinovci.