Deputeti Dugolli tregon se si ndodhi sulmi ndaj policëve në Banjskë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, deklaroi se sot ka vizituar policin që mbeti i plagosur në Banjskë, dhe nga ai ka marrë informacione se si ndodhi ngjarja atje.

Dugolli ka thënë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës ka qenë kurth.

Ai tha se fillimisht tre policët kufitarë kanë parë kamionë që e kanë bllokuar rrugën dhe kanë vërejtur lëvizje të dyshimta.

Sipas Dugollit, të shtënat kanë filluar pasi ekipet përforcuese të Policisë së Kosovës kanë arritur në vendin e ngjarjes.

“Pritën e kanë shpjegu ku tre policë që kanë qenë kufitar për ndërhyrje të shpejtë kufitare e kanë pa kamionët aty dhe kanë pa lëvizje të dyshimta dhe kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Menjëherë kanë kërku përforcime dhe kur kanë shku përforcimet dhe kanë dal Policët e tjerë kanë fillu të shtëna nga të dyja anët. Qëllimi ka qenë të shkaktojnë sa më shumë viktima”- deklaroi Dugolli në “Kallxo Përnime”.

Ai tha luftimet filluan prej orës 03:00 të mëngjesit.

Dugolli tha se bazuar te pajisjet, autoblindat e veturat, është e pamundur që një sulm i tillë të ketë pasur një bazë në Kosovë të përgatitjes e të ekzekutimit.

“Kjo ka qenë shumë mirë e planifikuar, shto këtu edhe mënyrën se si e kanë vrarë policin dhe nga ajo që morëm vesh ishte kurth dhe vetëm njerëz profesionistë janë në gjendje për një gjë të tillë”- tha ai.

“Sot ishim dëshmitarë të një sulmi tipik të armatosur të formacioneve ushtarake të njerëzve profesionit që nga ato që u panë dhe raportuan lë me kuptu që janë njerëz me përvojë ushtarake dhe policore që kanë stërvitje të madhe. Kishim këtë ballafaqim të parin të këtyre përmasave me një formacion i cili gjenezën dhe strofullën e ka në Serbi”- deklaroi Dugolli.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka treguar se tashmë janë arrestuar gjashtë të dyshuar, dy prej tyre sulmues të armatosur dhe uniformuar si dhe katër të tjerë me radiolidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi.

Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.