Dëmet që la pas zjarri në disa fshatra të Suharekës - VIDEO

Këto janë pasojat që i la zjarri i cili i kaploi këto prona gjatë ditës së djeshme në disa fshatra të Suharekës.

Sipas pronarëve zjarri erdhi pasi erërat e fora i bashkuan telat e rrymës.

“Si pasojë e frymës dy tela të rrymës janë bashkuar mes veti në bander me ç ‘rast është shkaktuar zjarri”, tha Maliç Mustafa nga fshati Mushtisht.

‘’Nga shkaktimi i zjarrit më janë djegur rreth 100 shpezë”, tha ai.

“Nga zjarri i shkaktuar është djegur në tersi stallë  por ka pasur rrezik që flaka të hyjë edhe në shtëpi por pas intervenimit disa orësh është parandaluar më e keçja”, tha ai.

Ai tha  se pas kësaj ngjarje që nga dita e djeshme nuk kanë as ujë e as energji elektrike.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar edhe në fshatin Sallagrazhdë në shtëpinë e Driton Gegajt.

“Ngjarja ka ndodh rreth orës 13:25 minuta, për shkak të erës së forte e cila  ka qenë  ditën e djeshme, dy tela të rrymës janë bashku mes veti, gacat ka ra në bari dhe pastaj ka filluar të nis zjarri”, tha ai.

Pas ndihmës së bashkëfshatarëve zjarri është shuar rreth orës 15:00.

KEDS në përgjigjet për KALLXO.com kanë deklaruar se ka dërguar menjëherë ekipet në vendin e ngjarjes.

“Janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të evituar rrezikun e mëtutjeshëm për banorët ndërkaq është krijuar edhe komisioni i brendshëm profesional, ku bëjnë pjesë ekspert të fushës përkatëse dhe të cilët merren me trajtimin e këtyre rasteve. Meqenëse rasti është në fazën fillestare, është herët për të dhënë informata të detajuara për shkaktarin e zjarrit”, u shpreh Naxhije Arifaj nga KEDS.

Kryetari i komunës së Suharekës në përgjigje për KALLXO.com, tha se situata ende nuk është stabile.

“Zjarret po vijnë dhe po shkaktohen në zona të ndryshme, si hamullore, male, Zonën Industriale, dhe shkaqet e kësaj situate ende është duke i hetuar policia në teren. Ndërsa tek rastet ku ka pasur djegie të shtëpive, sipas banorëve është dëshmuar se zjarri u shkaktua nga era dhe përplasja e telave’’, u shpreh kryetari i Komunës.