Blerta Deliu-Kodra n senc

Deliu – Kodra për Projektligjin për KPM-në: Qeveria po kërkon që të heshtën zërat kundërshtues

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave i cili u miratua të mërkurën më 7 shkurt në parim në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike.

Sipas saj, me miratimin e këtij projektligji ndryshon radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online.

Ndërsa ka shtuar se ndryshimet ligjore janë në kundërshtim me standardet e KE dhe OSBE.

“Përkundër përpjekës së partive opozitare që të ndalojnë miratimin e këtij ligji në Komision, për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online që kanë përmbajtje të videove duke përfshirë nevojën që t’i licensojë në mënyrë të veçantë. Ndryshimet ligjore që po provohen të ndryshohen, e them me përgjegjësi të plotë që janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së”- ka thënë ajo.

Sipas saj, propozimi i qeverisë për të ushtruar kontrolle për median online përfaqëson sulm të drejtpërdrejt ndaj parimeve të fjalës së lirë, medias së lirë, dhe vetë demokracisë.

“Duke kërcënuar median online me kontroll që ta mbyllin gojën, qeveria po kërkon që të heshtën zërat kundërshtues dhe të konsolidojë pushtetin e saj pa kontroll. Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët të raportojnë për çështjet me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore që e kemi pa disa herë”- tha ajo në seancën e Kuvendit sot.

Projektligji për KPM-në është miratuar në parim më 7 shkurt në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Pro këtij vendimi kanë votuar deputetët e LVV-së; Valon Ramadani, Nijazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi si dhe Fidan Jilta nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, kurse deputeti i PDK-së Isak Shabani nuk ka marrë pjesë në votim, edhe pse ishte prezent.

Ky projektligj mes tjerash synon që videot dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave.

Për këtë arsye, ka marrë kritika të shumta nga organizata të punës së mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Në këtë komision, prezantimin e këtij projektligji nga zv.kryeministri Besnik Bislimi, për të cilin projektligj tha se është në harmoni me direktivat e BE-së dhe garanton treg medial të shëndoshë dhe konkurrencë, duke ofruar kushte të barabarta për të gjithë.