PDK ripërsërit thirrjet për zgjedhje: Arrestimet e zyrtarëve të pushtetit, dëshmojnë qeverisje korruptive

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media më 03.03.2024, ka deklaruar se qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, është karakterizuar me “afera dhe skandale të shumta korruptive”.

Deliu-Kodra ka përmendur rastin e arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Gjakovë, Hasan Krasniqi, i cili u arrestua më 19.02.2024 në Bullgari, pasi po kërkohej nga Interpoli dhe dyshohet se për kontrabandë me të mitur.

Ajo thotë se ky është vetëm njëri nga vargu i gjatë i zyrtarëve të partisë në pushtet që është përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale”- është shprehur Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra ka renditur disa nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët, siç ka thënë ajo, kanë zënë ballinat mediale me skandale dhe afera.

Mes tjerash, deputetja e PDK-së ka thënë se “këto janë vetëm disa nga rastet, të cilat edhe sipas raportimeve të mediave, dëshmojnë për një qeverisje tri vjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje përplot me afera dhe skandale korruptive, të cilat kanë dëmtuar tejet shumë buxhetin e shtetit të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”.

Deputetja Deliu-Kodra ka kritikuar Kurtin dhe qeverinë, që sipas saj “përkujdesen që edhe raportet e ndërtuara me mund me aleatët tanë të prishen”.

“Tashmë janë bërë 8 muaj që Kosova edhe zyrtarisht është nën sanksione nga Bashkimi Evropian – ku po mbeten të bllokuara qindra-miliona euro investime për shtetin tonë”- ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, sot, Kosova është peng i një qeverisje korruptive, të paaftë, që po dëmton buxhetin e shtetit të Kosovës, mirëqenien e qytetarëve, të ardhmen evropiane të shtetit dhe aleancat historike.

Për këto arsye, Deliu-Kodra ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka kohë që kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja të parakohshme sa më parë.

Në fund të konferencës, deputetja Blerta Deliu-Kodra u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të madh “të gjitha aferat në të cilat është përfshirë kjo Qeveri dhe zyrtarët e saj”.

KALLXO.com ka raportuar më 01.03.2024 për arrestimin e Hasan Krasniqit, informacion të cilin e konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MJPD).

MPJD-ja tha se Krasniqi “supozohet” të jetë i kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL dhe se është ndaluar më 19.02.2024.

Sipas informacioneve të cilat posedon KALLXO.com, Krasniqi dyshohet se kishte kryer organizim të kundërligjshëm, konkretisht kontrabandë me të mitur.

Informacionet e siguruara nga KALLXO.com tregojnë, se Krasniqi ishte prezantuar si shoqërues i rrejshëm dhe në komplot me persona të tjerë, kishte organizuar dhe kryer kontrabandë me të mitur.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se me qëllim të hyrjes ilegale në Itali dyshohet se kishte simuluar pjesëmarrjen e të njëjtëve nëpër disa turne sportive, me qëllim të përfitimit të vizës Schengen për qëllime sportive.

Krasniqi dyshohet se kishte deklaruar se ishte edhe si kujdestar i të miturve.

Në anën tjetër, kontaktuar nga KALLXO.com, INTERPOL-i nuk ka ndarë informata për këtë rast.“Ju lutem të keni parasysh se Organizata nuk komenton raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet kombëtare relevante” – janë përgjigjur nga INTERPOL më 01.03.2024.

Avokati Krasniqit, Tritan Hamitaj është deklaruar për media, duke thënë se klienti i tij nuk nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët.Në deklaratën e tij, avokati Hamitaj ka sqaruar se Krasniqi është ortak në një kompani, “Shpatturs shpk” e cila merret me transport rrugor të udhëtarëve, por që drejtohet nga vëllai i tij, Muhamet Krasniqi.

Dhe sipas Hamitajt, për shkak të transportimit nga kjo kompani të disa sportistëve në vitin 2022 ata nuk janë kthyer në Kosovë dhe autoritetet italiane të Drejtësisë kanë vlerësuar se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullësi.

Pasi këta sportistë kanë lëvizur me mjete transporti të kompanisë “Shpatturs”, Hamitaj shton se, pas hetimeve autoritetet italiane kanë vlerësuar se Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe roli i tij në dijenin ose jo të parregullsive në marrjen e vizave.Hamitaj mohon se Krasniqi ka qenë në dijeni për transportimin e këtyre sportistëve apo marrjen e vizave të tyre.

Avokati i kryeshefit të arrestuar të ‘KRU Gjakova’: Krasniqi nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët