Lajm në zhvillim - Shkarkimi i kryetarit Atiq – Qytetarëve u prijnë zyrtarë dhe ish zyrtarë të Listës Serbe

11:27 – Bie numri i qytetarëve për nënshkrimin e peticionit në Mitrovicën e Veriut

Pas më pak se dy ore nga fillimi i nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, lokacioni ku filloi ky aktivitet është pothuajse e zbrazët.

Salla e sportit në këtë qytet në orët e para të ditës së sotme ishte gati-gati e mbushur me qytetarë që vendosën nënshkrimet e tyre në peticionet që mbanin logon e shtetit të Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com që është duke qëndruar atje ka raportuar se tashmë numri i qytetarëve që po paraqiten për të dhënë nënshkrimin e tyre në këtë peticion është i ulët.

Ky peticion është i organizuar nga grupi iniciatorë serb, e kjo ishte konfirmuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Nexhat Uglijani.

Salla e sportit ku po nënshkruhet peticioni për shkarkimin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Foto: KALLXO.com

10:44 – Nënshkrimi i peticionit në Mitrovicë të Veriut, Policia flet për situatën e sigurisë

Me dhjetëra qytetarë, që kanë një qëllim të përbashkët, janë mbledhur që nga orët e para të mëngjesit sot tek stacionin i autobusëve në Mitrovicën e Veriut për të vazhduar më pas në sallën sportive të këtij qyteti.

Ata shkuan aty për të nënshkruar një peticion, përmes së cilit po kërkojnë shkarkim e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Verit, Erden Atiq.

Atiq këtë pozitë zyrtarisht e mori para më pak se një viti, më 19 maj 2023.

Përpos EULEX që monitoronte situatën nga afër, të angazhuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kanë qenë edhe Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se situata është e qetë.

“Nga aspekti i sigurisë çdo gjë ka qenë në rregull” – tha Elshani.

Për tu përmbushur kërkesa që kanë banorët e këtij qyteti, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duhen gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime.

10:06 – Pjesëtarët e EULEX po monitorojnë situatën në Mitrovicë të Veriut

Grumbulli i qytetarëve që janë mbledhur për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës në Mitrovicën e Veriut po monitorohet edhe nga pjesëtarët e EULEX.

Këta të fundit janë parë duke qëndruar afër hyrjes kryesore të sallës sportive në Mitrovicën e Veriut.

Brenda kësaj salle qytetarët e kësaj komune janë duke pritur në rend për të dhënë nënshkrimin e tyre.

Pjesëtarët e EULEX duke monitoruar situatën në Mitrovicë të Veriut. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

09:42 – Logo e shtetit të Kosovës në peticionet që po nënshkruhen në Mitrovicën Veriore

Në tavolinat e vendosura në krye të sallës sportive në Mitrovicë të Veriut janë vendosur peticionet që po nënshkruhen nga qytetarët e kësaj komune për të shkarkuar kryetarin aktual, Erden Atiq.

Në këto peticione është e vendosur edhe logo e shtetit të Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin e kryetarit të komunës duhet të mblidhen gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime.

Dhjetëra qytetarë tashmë janë futur brenda objektit të sallës sportive në Mitrovicë të Veriut për të nën shkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës, Erden Atiq.

Qytetarët fillimisht u mblodhën tek stacioni i autobusëve për tu nisur në formë te organizuar drejtë sallës së sportit.

Grumbullit të qytetarëve po iu prin ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovës – Igor Simic dhe ish nënkryetari i komunës, Milan Radojeviq.

Qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë Sallës së Sporteve në Mitorvicën Veriore për të dhënë nënshkrimin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq

09:29 – Dhjetëra qytetarë tashmë janë futur brenda objektit të Sallës së Sporteve në Mitrovicë të Veriut për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës, Erden Atiq.

Qytetarët fillimisht u mblodhën tek Stacioni i Autobusëve për t`u nisur në formë të organizuar drejtë Sallës së Sporteve.

Grumbullit të qytetarëve po iu prinë ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovës – Igor Simiq dhe ish nënkryetari i komunës, Milan Radojeviq.

Në mesin e grumbullit e qytetarëve u pa edhe ish kryetari i LS-së, Goran Rakiq.

Ky peticion është i organizuar nga grupi iniciatorë serb, e kjo ishte konfirmuar për KALLXO.com kryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Nexhat Uglijani.

“Ne përmes emalit i kemi dërgua grupit iniciues dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal pëlqimin për shfrytëzimin e objektit, hapësirën publike e cila gjendet te Salla e Sporteve në Pjesën Veriore. Ata (grupi iniciatorë serb) sot fillojnë prej orës 09:00. Fillon në pjesën Veriore dhe Leposaviq”- ka thënë ai.

Ndryshe, më datë 15 janar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka miratuar kërkesën e grupit iniciatorë serb për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit.

Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.

Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Atiq – FOTO