Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi dhe aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore, 18.04.2024

Dekani i Fakultetit të Edukimit thotë se “po i menaxhojnë brenda” denoncimet ndaj Xhevat Krasniqit për “komunikim joprofesional” me stafin

Dekani i Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës (UP), Blerim Saqipi, ka thënë se rastet e raportuara në këtë Fakultet ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për “sjellje të papërshtatshme me koleget” po menaxhohen brenda institucionit.

Kështu tha ai kur u sfidua me pyetje nga aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore të cilët ndërprenë ligjëratën e Krasniqit, i cili në Fakultetin e Mjekësisë është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.

“Edhe ti ke pasë (pranuar) denoncime për sjellje të papërshtatshme me koleget a po? Ti vetë e ke thanë publikisht?” – ishte fjalia me të cilën iu drejtua aktivistja, Blenda Asllani.

“Ato i menaxhojmë na brenda” – ishte përgjigjja e tij.

Aktivistë nga Lëvizja Feministe Studentore sfiduan sot dekanin Saqipi dhe kërkuan llogari nga ai se çfarë po bëhet me denoncimet ndaj tij.

Përderisa aktivistët insistonin në pyetjen se pse nuk është suspenduar Krasniqi, Saqipi tha se “rektori e ka përgjegjësinë me e suspendu, jo dekani”.

Dekani Saqipi është përgjigjur edhe në disa prej pyetjeve të dërguara nga KALLXO.com në adresë të tij, duke dhënë detaje për veprimet e ndërmarra.

Ai ka thënë se pasi që kanë pranuar ankesa nga stafi i Fakultetit për “komunikim joprofesional” nga ky profesor, atij i kanë tërhequr vërejtjen në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit në dhjetor 2023 që të ndërpritet kjo sjellje.

“Siç e kemi deklaruar edhe më herët, ne kemi pasur ankesa nga stafi i Fakultetit për komunikim joprofesional nga profesori Xhevat Krasniqi dhe ato i kemi adresuar sipas detyrave dhe kompetencave që kemi. Në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit të Edukimit të muajit dhjetor 2023 ne i kemi tërhequr vërejtjen profesorit që të ndërpritet kjo sjellje, gjë që është edhe hapi i parë i zakonshëm për këto veprime” – thuhet në përgjgijen e Saqipit.

Ai tha se gjatë 3 viteve e gjysmë që mban detyrën e dekanit, nuk ka pranuar denoncim ndaj Xhevat Krasniqit për ngacmim.

Megjithatë, në emër të institucionit që drejton, ai shprehu shqetësimin e tyre për rastin e paraqitur në Fakultetin e Mjekësisë dhe pakënaqësinë rreth “zgjatjes së procesit të trajtimit të këtij rasti” .

“Bëjmë thirrje që rasti të marrë një përmbyllje të drejtë dhe të shpejtë” – shtoi ai.

Ai nuk ofroi përgjigje në pyetjet se si po shkon procesi mësimor me profesorin në fjalë në këto rrethana, a ndihen të sigurt studentët e Edukimit që t’u ligjërojë ky profesor e si ka ndikuar kjo situatë te ta.

Por, tha se meqë rasti është në Këshill të Etikës dhe në hetuesi presin që të kenë qartësi shumë shpejt rreth kësaj çështjeje.

Ne kemi qenë në kontakt të menjëhershëm me rektoratin si autoritet kontraktues për stafin e rregullt akademik dhe si instanca që ka përgjegjësinë e veprimeve ndaj angazhimit të tyre kontraktual. Meqë rasti është në instancat përkatëse si Këshilli i Etikës dhe institucionet e hetuesisë, presim që të kemi një qartësi shumë shpejt rreth kësaj çështje” – theksoi ai.

Ai po ashtu tregoi se çfarë kanë bërë për të parandaluar ngacmimet seksuale në dy vitet e fundit.

“Kemi shpërndarë tek të gjithë studentët rregulloren për parandalimin e ngacmimeve seksuale, siç kemi vepruar edhe për të gjitha aktet dhe informatat e rëndësishme për studentët. U kemi komunikuar e-mail adresën ku duhet të denoncohen shqetësimet eventuale. Me zyrtaren e Universitetit për denoncim të ngacmimeve seksuale kemi mbajtur ligjëratë informuese dhe vetëdijësuese me studentët tanë. Në vitin 2023 kemi hapur Qendrën për Këshillim të Studentëve për t’u ndihmuar atyre gjatë sfidave me të cilat përballen gjatë studimeve” – tha ai.

Më tej, në përgjigjet e Saqipit thuhet se prej ditës së paraqitjes së rastit janë në kontakt të afërt me studentë dhe janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha instancat relevante për rastin në fjalë.

“Shprehim qëndrimin tonë për zero tolerancë ndaj ngacmimit seksual pa marrë parasysh ku dhe pa marrë parasysh nëse është fjala për një apo më shumë studentë. Menaxhmenti i departamenteve në Fakultet është në komunikim të afërt me studentët e fakultetit tonë dhe jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha instancat relevante për rastin në fjalë” – ka shtuar më tej i pari i Fakultetit të Edukimit.

Biseda mes aktivistëve dhe dekanit u bë sot, më 18.04.2024, pasi që ata ndërprenë ligjëratën e Xhevat Krasniqit, duke u futur në klasë me fishkëllima.

“Xhevat Krasniqi jashtë!” – ishte fraza që përsëritej nga aktivistët gjatë këtij aksioni.

“Ti nuk ki çka me lypë në UP. As ti e asnjë person që hetohet e që denoncohet për veprën penale “ngacmim seksual” nuk kanë çka me lypë në UP. Ti duhesh me shku në burg, e jo në Fakultetin e Edukimit” – i tha Blenda Asllani profesorit Krasniqi, i cili e vështronte, i ulur nga banka e profesorit.

Gjatë aksionit, Xhevat Krasniqi ka telefonuar Policinë, e cila më pas ka shkuar në vendin e ngjarjes.

“Unë jam Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës. Disa persona kanë hy në sallën e ligjëratave edhe janë duke më pengu në ligjëratë. A keni mundësi me ardhë me më ndihmu?” – dëgjohet të thotë ai në telefon.

Studentët kanë qëndruar në klasë deri pas largimit të profesorit nga klasa.

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka kërkuar Fakultetit të Edukimit vlerësimin zyrtar të performancës së profesorit të rregullt, Xhevat Krasniqi, në këtë Fakultet, më 17.04.2024.

27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, ku Krasniqi jepte lëndën e matematikës si profesor i angazhuar, kanë raportuar se janë ngacmuar seksualisht nga ai.

Lidhur me pretendimet e studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori Krasniqi, Fakulteti i Mjekësisë tha më 27.03.2024 se fillimisht ishin informuar gojarisht.

Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, denoncimin e studenteve e ka përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.

Këshilli i Etikës i UP-së mbajti mbledhjen të mërkurën, 17.04.2024, në të cilën dëshmuan tri studente, të cilat janë në mesin e 27 studenteve që e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual.

Mbledhja ishte e hapur për media, mirëpo është kërkuar që për shkak të konfidencialitetit të dëshmitareve që dëshmuan, mediat të mos marrin pamje.

Ekipi i KALLXO.com ka qenë pjesë e kësaj mbledhjeje dhe ka parë se shumicën e kohës së mbledhjes anëtarët e Këshillit i janë referuar ngacmimit seksual që po pretendohet nga studentet, si “gjuhë e papërshtatshme”.

Lëvizja Feministe Studentore ka mbajtur protestë që nga fillimi i kësaj mbledhjeje pasi është e pakënaqur me trajtimin e këtij rasti nga KE i UP-së.

Për shkak të kërkesës së Këshillit të Etikës ndaj Fakultetit të Mjekësisë që t’i ridërgojë nënshkrimet e studenteve denoncuese të rastit dhe duke iu referuar anëtarët e KE-së gjatë mbledhjes – ngacmimit seksual që po pretendohet nga studentet si “gjuhë e papërshtatshme”, aktivistët bllokuan derën hyrëse të Rektoratit të UP-së.

Policia e Kosovës është dashur të ndërhyjë që ta zhbllokojë hyrjen e Rektoratit nga aktivistët, pasi i kanë paralajmëruar tri herë që të tërhiqen nga aty.

Këshilli i Etikës i UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Izet Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezart Galica.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi hulumtimim me rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre tri studenteve, në “Kallxo Përnime” më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, më 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Aktivistët nga data 03.04.2024 me protestat gjithëditore kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi, për shkak të denoncimit për ngacmim seksual.

Protesta e mbajtur të mërkurën, 17.04.2024, është protesta e tyre e gjashtë. Ndërsa, në protestën e fundit, më 11.04.2024, pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së, ata u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës, për të zhbllokuar kështu hyrjen e Rektoratit.

Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës ka reaguar në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual që 27 studente i kanë bërë profesorit Xhevat Krasniqi, duke kërkuar më shumë kohë për trajtimin e këtij rasti.

Këshilli i Etikës, sipas UP-së, thotë se ky rast “meriton hapësirë kohore” në mënyrë që të dëgjohen dhe shqyrtohen deklarimet e secilës palë.

Sipas UP-së, “nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.

Në komunikatën e lëshuar nga UP-ja më 12.04.2024 thuhet se deri tani janë mbajtur tri seanca dhe se rasti po trajtohet me urgjencë.

“Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, UP-ja ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga të gjitha format e presionit.

“UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”, thuhet mes tjerash në komunikatën në të cilën asnjëherë nuk është përmendur fjala “ngacmim seksual”.